Pyetja:

Cila është forma më e mirë me të cilën mund të ngushëllohet një person të cilit i ka ngjarë rast vdekje?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut,  Muhamedin ﷺ!

Me termin “ngushëllim” në aspektin juridik islam nënkuptohet që “të nxitet personi të cilit i ka ngjarë fatkeqësia që të bëjë durim dhe ta pranojë me zemër të mirë kadanë (vendimin / caktimin) e Allahut të Lartësuar”. Juristët muslimanë theksojnë njëzëri se ngushëllimi i familjarëve të të vdekurit është mustehab (vepër e pëlqyeshme) nisur nga qetësimi që u bëhet këtyre të fundit. Për të shprehur ngushëllimin nuk ka ndonjë trajtë të veçantë dhe lejohen të gjitha format e tij nëse plotësohet kushti që shprehjet ngushëlluese të mos përmbajnë ndonjë vërejtje (ndalesë) sheriatike (ligjore islame).

Gjithsesi nuk ka dyshim se më e mira është që ngushëllimi të bëhet me fjalët me të cilat ka ngushëlluar Profeti ﷺ dhe pikërisht në lidhje me këtë çështje, dijetari i nderuar Ibn Uthejmini, ka thënë: “Ngushëllimi më i mirë që mund të bëhet është trajta e ngushëllimit me të cilën Profeti ﷺ e ngushëlloi njërën prej bijave të tij Zejneben (Allahu qoftë i kënaqur me të!), kur ajo i dërgoi fjalë të vinte sepse djali i saj i mitur po ndërronte jetë, të cilës Profeti ﷺ i dërgoi të fala me fjalët e tij:

“Vërtet Allahut i takojnë çfarë merr dhe çfarë jep (Atij i takon tërë krijimi, ku çdo gjë bëhet dhe zhbëhet sipas Vullnetit të Tij suprem hyjnor) dhe çdo gjë tek Ai është me afat të përcaktuar, ndaj bëj durim dhe aspiro shpërblim (syno me durimin tënd shpërblim prej Allahut të Lartësuar, që Ai ta llogarisë këtë durim në favorin tënd, prej veprave tua të mira)! [1]

– Ibn Uthejmini vijon: Kurse fjalët që janë bërë publike ndër njerëz, të trajtës: “Allahu ta shtoftë shpërblimin!”, “Allahu të dhëntë një ngushëllim sa më të mirë!”, “Allahu e faltë të vdekurin tuaj (që thuhet nëse i vdekuri ka qenë prej muslimanëve)!”, janë përzgjedhur nga disa dijetarë, por trajta parësore dhe më e mirë e ngushëllimit është ajo me të cilën ka ardhur suneti (tradita profetike).” [2]

Ndërsa i ngushëlluari (familjari i të vdekurit) është mirë t’i përgjigjet ngushëlluesit me shprehje të tilla si: “Allahu të shpërbleftë!”- dhe ngjashëm.

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi

—————

[1] Buhariu 1284, Muslimi 923.

[2] Shejh Uthejmini, “Mexhmu’u El-Fetaua” 17/339