Pyetja:

Nëse s’bashkohen këmbët në namazin me xhemat, hyn shejtani ndërmjet xhematlinjëve. Si mund të hyjë shejtani në xhami? A ka ndonjë argument për këtë?

***

Përgjigjja:

Po, është e vërtetë se shejtani hyn në xhami, ngase nuk ka argument të prerë se e ka të ndaluar të hyjë në xhami. Për këtë ka disa argumente që do t’i përmendim më poshtë. Por, së pari të them se në xhami hyjnë edhe njerëz me mendime të këqija dhe njerëz që bëjnë punë djallëzore. Këtë e shohim në jetën e përditshme, kur njerëz të cilët kanë qenë në xhami, kur dalin prej xhamie bëjnë punë të liga. Pra, është në pyetje qëllimi i vërtetë i ardhjes së tyre në xhami, ngase ai që vjen në xhami me sinqeritet, nuk mund të bëjë veprime të tilla jashta xhamisë. E të gjitha këto gjëra i nxit shejtani, ndërkaq në Kuran përmenden shejtanat nga njerëzit dhe nga xhinët.

Duhet të kihet parasyshë edhe ajo se shejtani është këmbëngulës pikërisht në xhami, ngase aty tenton t’i largojë njerëzit nga rruga e Zotit, ngase me ata jashta xhamisë që janë në punë të liga, ka kryer punë më herët.

Për sa u përket argumenteve nga trashëgimia e të Dërguarit të Allahut ﷺ që vërtetojnë se shejtani hyn në xhami, do të përmendim sa vijon:

Ebu Derda (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: U ngrit i Dërguari i Allahut ﷺ të falet, dhe e dëgjuam të thotë: Kërkoj mbrojtje tek Allahu prej teje. Pastaj tha: Të mallkoj me mallkimin e Allahut tre herë, dhe e zgjati dorën sikur kap diçka. Pasi e kreu namazin, i thamë:”O i Dërguar i Allahut, të dëgjuam duke thënë në namaz diçka, që nuk e kemi dëgjuar prej teje më parë, dhe të pamë duke e zgjatur dorën?” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: ”Armiku i Allahut, Iblisi, erdhi me një gacë zjarri që të ma ven në fytyrë, dhe unë thashë tre herë: Kërkoj mbrojtjen e Allahut prej teje, e pastaj thashë: Të mallkoj me mallkimin e plotë të Allahut, e ai nuk u zbraps tre herë rresht. Pastaj desha ta kapi atë. Pasha Allahun, sikur mos të kishte qenë lutja e vëllaut tonë Sulejmanit, do të lidhje dhe do të luanin me të fëmijët e Medines.” [1]

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur thirret ezani për namaz, shejtani ia mbath me të katra dhe nxjerr erë me zë, që të mos e dëgjojë ezanin. Kur mbaron thirrja e ezanit, ai kthehet prapë, por përsëri ia mbath të ikë kur thirret ikameti, por kur ai mbaron, ai përsëri vjen derisa pëshpërit në zemrën e njeriut (për t’ia hequr vëmendjen nga namazi) duke e bërë atë të kujtojë gjëra të cilat ai as nuk i kishte ndërmend përpara namazit duke i thënë: “Kujto këtë, kujto atë”, derisa njeriu vazhdon të falet duke e bërë të harrojë sa rekat namaz ka falur.”

Këto dy hadithe, dhe shumë hadithe tjera në këtë kuptim, flasin se shejtani hyn në xhami dhe mundohet që edhe aty t’u bëjë dëm besimtarëve.

Kjo nuk duhet t’ju habisë, ngase nga pyetja e kuptoj se ju duket e habitshme. Por, e vërteta është se shejtani hyn në xhami dhe nuk ka ndalesë për këtë. Besimtari duhet t’i lutet Allahut të Madhërishëm që ta ruaj nga shejtani.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu

——————————

[1] Muslimi