Pyetja:

A është mëkat të martohemi në të njëjtën datë kur ke lindur?

***

Përgjigjja:

Martesa është ligj i Allahut të Madhërishëm në këtë botë, me qëllim që të mund gjinia njerëzore të shtohet, si dhe njeriu t’i plotësojë nevojat e epshit në mënyrë legale. I Dërguari i Allahut, ﷺ i ka nxitur muslimanët që të martohen dhe të shtohen duke thënë: ”Martohuni e shtohuni, se unë, në Ditën e Gjyimit, do të mburem me numrin tuaj të madh karshi popujve tjerë”. Poashtu, në një hadith tjetër ka thënë: ”Martesa është suneti im, e kush largohet prej sunetit tim, ai nuk është në rrugën time”.

Për martesën, në fenë islame, nuk ka ditë dhe data të caktuara, ashtu që njeriu kur ta sheh më të përshtatshme për vete dhe për rrethanat e veta, martohet. Martesa realisht mvaret nga shumë faktorë tjerë, si: prezenca e familjes, gatishmëria e familjes së gruas, miqësia, koha, etj, dhe kjo është e njohur në mesin e njerëzve. Si zakonisht, martesat, apo më mirë thënë dasmat, bëhen kur të afërmit janë në pushime apo kanë kohë të lirë, me qëllim që të mund të marrin pjesë në gëzimin familjar.

Nga kjo kuptojmë se nëse ndodh martesa në datën kur ke lindur, në aspektin fetar, nuk ka asnji problem, nuk është asnji mëkat, por besoj se këto mendime dhe fjalë që qarkullojnë për këtë gjë, po edhe për gjëra tjera të ngjashme, janë besime të kota, mendime të gabuara, dhe në mesin tonë janë futur nga pjestarët e besimeve tjera.

Muslimani e ka haram të besoje në gjëra të këtilla, dhe me të gjitha forcat duhet t’i kundërshtojë këto bestytni që janë në kundërshtim me besimin e pastër islam.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu