Pyetja:

Kam dy pyetje:
1. Mbas Fatihasë në namaz a duhet të këndohet besmelja para se të filloj suren tjetër?
2. A e prish gjaku abdesin p.sh. e lëndoj gishtin e fillon të rrjedhë gjak ose gjakderdhja e dhëmbëve si të jetë mundësia pak më detajisht të përgjigjeni?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

1. Leximi i “besmelës” pas Fatihasë në Namaz:
Leximi i “besmeles”, pasi ta përfundojmë Fatihanë, nuk është gjithmonë e kërkuar. Kjo varet se çfarë këndojmë pas Fatihasë; nëse këndojmë ndonjë sure nga fillimi, atëherë duhet ta fillojmë suren me “besmele”, nëse fillojmë këndimin e sures nga ndonjë vend tjetër (p.sh. nga mesi i ndonjë sureje), atëherë “besmeleja” nuk këndohet.

2. A e prish gjaku abdesin:
Është vërtetuar se ka ixhma (konsensus) nëse gjaku del nga dy vrimat (sebilejn), atëherë ai e prish abdesin pa marrë parasysh a është shumë apo pak, kurse nëse gjaku rrjedh nga ndonjë vend tjetër ka mendime te ulematë:

Mendimi i parë: Mendimi i hanefive, hanbelive dhe i shumicës së ulemave është se gjaku i cili rrjedh nga trupi e prish abdesin.
Ata kanë argumentuar me këto argumente:

a) Ata kanë argumentuar me një numër të haditheve sikurse hadithi: “Duhet marrë abdes nga çdo gjak që rrjedh”.
b) Thënia e Aliut radijallahu anhu kur i numëroi gjërat që e prish abdesin: “Për shtatë gjëra përsëritet abdesi; (ndër to) gjaku që rrjedh”.
c) Gjithashtu ata kanë thënë se gjaku është ndyrësirë dhe pasi del nga trupi, atëherë është e njëjtë sikurse ndyrësira që del nga dy vrimat (sebilejn).

Vërejtje: Medh`hebi i hanbelive kushtëzon që sasia e gjakut të jetë shumë për të prishur abdesin, kurse hanefit janë më rigoroz, megjithëse edhe ata thonë se një pikë ose dy pika që rrjedhin nuk e prishin abdesin.

Mendimi i dytë: Mendimi i shafive dhe malikive është se gjaku dhe qelbi nuk e prish abdesin. Ata argumentuan me këto argumente:

a) Në esencë nuk lejohet të thuhet se gjaku dhe qelbi e prish abdesin pa argument të qëndrueshëm (Beraetu aslije), kurse hadithet që përmenden për këtë si argumente nga pala tjetër, të gjitha janë të dobëta, prandaj, edhe nuk është e saktë thënia se gjaku dhe qelbi e prish abdesin.
b) Vërtetohet në hadithe të shumta se sehabët nuk e kanë konsideruar rrjedhjen e gjakut nga gjërat që e prishin abdesin, ndër to;
– Vërtetohet me një rast se një ensari ishte duke u falur dhe goditet me shigjetë nga larg dhe plagoset, por ai vazhdon namazin derisa goditet me tri shigjeta. Është shumë e qartë se njeriu kur të plagoset që gjaku fillon t`i rrjedh dhe po të ishte e njohur te sehabët se gjaku e prish abdesin atëherë ai do ta ndërpriste namazin.
– Nga Ibën Abasi vërtetohen se i dilte gjak nga hunda dhe ai e pastronte gjakun pastaj vinte dhe vazhdonte namazin (pa përsëritur abdesin).
– Numri i transmetimeve arrin tevaturin se sehabët dhe selefi në përgjithësi faleshin ashtu të plagosur e duke u rrjedhur gjaku dhe nuk vërtetohet se ndonjëri nga ata përsëriste abdesin për shkak të gjakut. Vërtetohet se Hasan el Basriu ka thënë: “Muslimanët vazhdojnë të falen duke qenë të plagosur”.
– Ibn Omeri vërtetohet se shpërtheu puçrra në fytyrë, pastaj fali namaz pa përsëritur abdesin. Gjithashtu edhe Omeri vazhdoi namazin duke i rrjedhur gjaku derisa e humbi vetëdijen.
-Shejh Albani, ka thënë: “Gjaku nuk e prish abdesin, qoftë pak apo shumë”. [1]

c) Argumentimi duke bërë analogji me ndyrësirat që dalin nga dy vrimat nuk është e qëndrueshme pasi që kjo është në llogari në haditheve të tjera dhe ndyrësira e gjakut nuk është në të njëjtën rang me urinën dhe nevojën e madhe.

Prandaj mendimi më i saktë në këtë është se gjaku nuk e prish abdesin.

Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi

————————

[1] Fetava el- medineti, 111