Pyetja:

A e prish namazin dhe abdesin mbajtja e fëmijës i cilin ka papastërti?

***

Përgjigjja:

Neveviu ka thënë: “Sa u përket qëndrimeve të dijetarëve mbi atë që fal namaz duke pasur
papastërti për të cilën ai s’është i vetëdijshëm apo harron, qëndrimi më i saktë, sipas medhhebit tonë, është se ai duhet ta përsërisë namazin. Ky është qëndrimi i Ebu Kilãbes dhe i Ahmedit. Mirëpo, shumica e dijetarëve thonë që ai s’duhet ta përsërisë namazin. Ibn el-Mundhir përcolli këtë nga Ibn Umeri, Sejd ibn Musejjeb, Tavûsi, Atãu, Sãlim ibn Abdullah, Muxhahidi, Sha’biu, Ibrahim en Neha’iu, Zuhriu, Jahja el-Ensãri, Evza’iu, Is’hak Ibn Rahoja dhe Ebu Theurri. Ibn el-Mundhir tha: ‘Ky, po ashtu, është qëndrimi im.’ Po ashtu, ky është qëndrimi edhe i Rebi’as dhe Malikut. Prova për këtë është e fortë dhe ky është qëndrimi i favorizuar.” [1]

Shejh ibn Uthejmin tha: “Nëse personi fal namaz me papastërti në trupin e vet, dmth., ka
papastërti që nuk e ka pastruar, apo ka papastërti në teshat e tij apo në vendin ku ai falet, atëherë namazin i tij s’është i vlefshëm, sipas shumicës së dijetarëve. Mirëpo, nëse ai s’është i vetëdijshëm për këtë papastërti, apo është i vetëdijshëm, por harron ta lajë atë, derisa të përfundojë namazin, atëherë namazi i tij është i vlefshëm dhe ai s’duhet ta përsërisë atë. Provë për këtë është që Pejgamberi ﷺ udhëhoqi një ditë sahabët në namaz dhe i hoqi mbathjet (ndërsa falej) dhe njerëzit, po ashtu, hoqën mbathjet e tyre. Kur Pejgamberi ﷺ kreu namazin, i pyeti ata përse i hoqën mbathjet e tyre dhe ata thanë: ‘Pamë që ti i hoqe, kështu që i hoqëm dhe ne.’ Ai tha: ‘Xhibrili më erdhi dhe më tregoi që kishte papastërti në to.’ Sikur namazi të konsiderohej i pavlefshëm për shkak të papastërtisë, kur personi s’është i vetëdijshëm për këtë, atëherë Pejgamberi ﷺ do ta niste namazin përsëri nga fillimi. Kështu, shmangia nga papastërtitë në trup, në tesha dhe në vendin ku personi fal namazin është një nga kushtet e vlefshmërisë së namazit. Por, nëse personi nuk i shmanget papastërtisë, ngaqë nuk di për të apo ngaqë harron, atëherë namazi i tij ende është i vlefshëm, qoftë kur di për të para së të falet e pastaj harron ta lajë, qoftë kur nuk di për të deri pasi të falet. Nëse do të thoshe: Ku qëndron dallimi mes këtij dhe atij që falet pa abdes ngaqë harron apo nuk di (vendimin), meqenëse, ai që falet pa abdes për shkak se harron apo nuk di (vendimin), instruktohet ta përsërisë namazin, kurse, ai që falet me papastërti për shkak se harron apo nuk di (vendimin), nuk instruktohet ta përsërisë namazin?
Përgjigja jonë është: Dallimi mes tyre është se abdesi apo gusli bën pjesë në kategorinë e gjërave të urdhëruara, kurse shmangia nga papastërtia (nexhãseh) bën pjesë në kategorinë e lënies së gjërave të ndaluara. Lënia e një gjëje të urdhëruar s’mund të justifikohet bazuar në padituri dhe harresë, ndryshe nga diçka që është e ndaluar.” (Mexhmû el-Fetãwa,
12/390)

islamqa.info

—————————————–

Mexhmû, 3/163