Pyetja:

“Të ngrihemi në kohën kur Allahu i Lartësuar zbret në qiellin e kësaj bote dhe kërkon lutësit që i luten Atij”.

Këtë fjalinë që e kam bërë me thonjëza për mua është jo e njohur, sepse unë nuk di asnjëherë që Allahu i Lartësuar zbret në qiellin e kësaj bote, kjo fjali më bën të dyshoj në gabimin tuaj gjatë shkrimit apo përkthimit eventualisht pa dashje. Çka nënkuptoni me atë fjali, a është gabim në të shkruar?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Nuk ka kurrfarë gabimi në shkrimin e temës që keni përmendur. Allahu xh.sh. zbret në qiellin e kësaj bote ashtu siç ka ardhur në hadithe të sakta siç do t’i cekim më poshtë, zbret në qiellin e dunjasë ashtu si i takon Allahut xh.sh. dhe vetëm Ai e di mënyrën se si zbret.

Allahu thotë:

Rrahmani (i Gjithëmëshirshmi) u ngrit lart dhe qëndroi (ashtu siç i shkon Madhështisë së Tij) mbi Arsh.” (Ta-Ha: 5)

Po ashtu ka thënë: “Pastaj Ai u ngrit lart dhe qëndroi mbi Arsh (ashtu siç i shkon për shtat Madhështisë së Tij.” (Sexhde: 4)

Po ashtu ka thënë: “Tek Ai ngjiten të gjitha fjalët e mira dhe punët e drejta e lartësojnë atë (fjalën e drejtë).” (Fatir: 10)

Nga këto argumente shohim se Allahu xh.sh është ngritur mbi Arsh.

Pastaj Pejgamberi ﷺ në hadith të vërtetë ka thënë: “Zoti ynë zbret në qiellin e dynjasë çdo natë, atëherë kur ka mbetur një e treta e fundit të natës, dhe thotë: ‘Kush më lutet, që t’i përgjigjem, kush më kërkon, që t’i jap, kush më kërkon falje, që ta fal?” [1]

Nga ky hadith shohim qartë se Allahu xh.sh. zbret në qiellin e kësaj bote në pjesën e tretë të natës dhe nuk ka asnjë dyshim në këtë pasi hadithi është i saktë, e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi, dhe pasi Allahu xh.sh është ngritur mbi Arsh, në fund të një të tretës së natës zbret në qiellin e dunjasë.

Kur erdhi një njeri tek Imam Maliku dhe i tha: “I Mëshirshmi mbi Arsh u ngrit (isteva)”, e si u ngrit?” Imam Maliku lëkundi kokën dhe tha: “Ngritja dihet ç’është, mënyra e saj është e pakapshme për mendjen tonë, të besojmë në të është obligim (farz) ndërsa të pyesësh për këtë është bidat, e unë mendoj se ti je bidatçi.”

Eroll Nesimi

—————————

[1] Buhariu dhe Muslimi