Pyetja:

A është e vërtetë se Pejgamberi ﷺ e ka ndaluar udhëtimin vetëm?

***

Përgjigjja:

Imam Ahmedi e ka shënuar hadithin ku thotë: ”Pejgamberi ﷺ e ka ndaluar të kalohet nata vetëm dhe të udhëtohet vetëm”. [1]
Teberani përcjell nëpërmjet Muhamed ibn el-Kasim el-Esedi, nga Zuhejr ibn Mu’auijeh, nga Ebu’l-Zubejr, nga Xhabir se Pejgamberi ﷺ ka thënë: ‘Sikur njerëzit ta dinin çfarë di unë rreth të qenët vetëm, asnjë udhëtar s’do të udhëtonte vetëm dhe askush s’do të flinte në shtëpi vetëm’. 
Është transmetuar se Umer ibn el-Khatab (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ka thënë: ’Askush të mos udhëtojë vetëm apo të flejë në shtëpi vetëm.
Imam Ahmedi qe pyetur rreth personit që kalon natën vetëm dhe u përgjigj: ”Sugjeroj që ai të mos e bëjë këtë”. [3]
Është transmetuar nga Abdullah ibn Amr el-As se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Udhëtari i vetëm është një shejtan. Dy udhëtarë janë dy shejtanë, kurse tre veta janë grup udhëtarësh”. [4]

Hafidh Ibn Haxheri ka thënë: ”Ibn Huzejme e ka shënuar nën kapitullin ‘Ndalimi për udhëtimin e dy vetëve dhe se më pak se tre janë mëkatarë’, sepse ajo që mendohet me ‘shejtan’, është mëkatar. Teberiu ka thënë:’Ky është një qortim me të cilin synohet disiplinimi dhe udhëzimi, për shkak të frikës nga të vetmuarit e personit. Mirëpo, kjo s’është haram. Ai që udhëton në shkretëtirë vetëm dhe ai që rri në shtëpi vetëm, s’mund të sigurohet se s’do të ndjehet i vetmuar, posaçërisht nëse ka mendime të këqija dhe besim të dobët’. [5]
Në fakt, njerëzit dallojnë sa i përket kësaj dhe ndalimi nga kjo është masë parandaluese.
Por, nëse për këtë shfaqet nevoja, duhet të jetë në rregull. Në komentimin e fjalëve ‘një udhëtar është shejtan’ është thënë se udhëtimi vetëm personit i sugjerohet nga shejtani apo se ai i ngjason shejtanit në veprimin e tij. Dhe është thënë se kjo s’është e pëlqyeshme, ngaqë, nëse vdes personi që udhëton i vetëm, s’do të ketë njeri për t’u kujdesur për të. Ngjashëm, nëse dy veta udhëtojnë dhe të dytë apo njëri vdes, s’do të ketë njeri për ndihmë. Ndryshe nga tre, sepse në shumicën e rasteve (kur janë tre) kjo frikë s’do të jetë e pranishme”.

Shejh Ibn Uthejmin ka thënë: ”Kjo është një paralajmërim kundër udhëtimit vetëm, por kjo ka të bëjë me udhëtimet ku rruga nuk përshkohet nga shumë njerëz. Sa i përket udhëtimeve ku ka shumë qarkullim dhe është sikur të jetë në mes të një vendbanimi, siç është rruga nga Kasim e deri në Rijad, apo prej Rijadit e deri në Demmem, apo të tjera rrugë të ngjashme ku ka shumë udhëtarë, kjo, në fakt, nuk konsiderohet të qenët i vetëm. Sepse në këtë rrugë udhëtojnë shumë njerëz. Kështu, personi mund të jetë i vetëm në automjet, por s’është i vetëm në udhëtim, dmth ka njerëz përreth tij, përpara tij dhe pas tij në çdo moment”. [6]

Shejh Albani ka thënë në komentimin që i ka bërë këtij hadithi në el-Sahiha [652]: ”Ndoshta, hadithi i referohet udhëtimit në shkretëtirë, ku udhëtari rrallë has në ndonjë njeri. Kjo nuk përfshin udhëtimin e sotshëm në rrugë të asfaltuara dhe me qarkullim.” [7]

Allahu e di më së miri.

—————————–

[1] Musned 2/91

[2] Eusat 2079

[3] Adeb esh-Sher’ije 1/428

[4] Tirmidhiu 1674; Ibn Haxher në Fet’h el-Bari 6/53 dhe shejh Albani në Silsile es-Sahiha 62

[5] Fet’h el-Bari 6/53

[6] Fetau Nurun ala Derb

[7] Silsile Sahiha 652