Pyetja:

A lejohet heqja e qimeve në mes të vetullave për ta penguar bashkimin e tyre që mos t’ju ngjajmë meshkujve dhe nëse po me çka lejohet heqja e tyre?

***

Përgjigjja:

Në mënyrë të natyrshme dhe të përgjithshme, sikurse femrat ashtu edhe meshkujt vetullat i kanë të ndara mbi hundë. Mirëpo ndodh që dikush t’i ketë (pavarësisht gjinisë) disa qime mbi hundë në vendin ndarës ndërmjet dy vetullave, saqë duket se i janë bashkuar vetullat. Dua të potencoj se përse kjo temë trajtohet si lejim i largimit të qimeve mes vetullave, pasi janë të pazakonshme, e jo se është karakteristikë e meshkujve dhe është frikë që femrat t’ju përngjajnë atyre. Kështu, ajo që do të përmendet në vijim, i përfshinë të dy gjinitë.

Dijetarët islamë kanë dy mendime, mes lejimit dhe ndalimit të largimit të qimeve ndërmjet dy vetullave.

– Të parët që mendojnë se nuk është e lejuar një gjë e tillë, argumentohen me hadithin që e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi që i Dërguari, ﷺ, ka mallkuar atë femër që i hiqen vetullat dhe atë që i heq vetullat. Në hadith potencohen femrat, për shkak se ato më shumë i kushtojnë rëndësi zbukurimit, por nëse edhe meshkujt e veprojnë heqjen e qimeve të vetullave, mallkimi i përmendur në hadith i përfshinë edhe ata. Këta dijetarë thonë se pjesa e qimeve mbi hundë konsiderohet pjesë e pandashme e vetullave dhe nuk lejohet të largohen ato, ashtu siç nuk lejohet të hiqen vet qimet e vetullave.

– Dijetarët e tjerë mendojnë se hadithi i mallkimit i përfshinë vetëm qimet e asaj që quhet vetull. Sipas tyre qimet mbi hundë nuk quhen vetull, andaj mbesin të papërfshira në hadith. Në këtë mënyrë ata mendojnë se ato qime janë të pazakonta dhe pasi nuk ka tekst nga hadithet që ndalon largimin e tyre, kurse tekstet ekzistuese lidhur me vetullat nuk i përfshijnë ato qime, atëherë lejohet largimi i tyre.

Këta të fundit po ashtu ndahen në mendime lidhur me mënyrën e largimit të atyre qimeve. Disa mendojnë se lejohet vetëm të shkurtohen kur ato dalin dhe dallohen, kurse disa të tjerë mendojnë se lejohet të shkulen tërësisht.

Mendimi për lejimin e heqjes së qimeve mbi hundë, ndërmjet vetullave, dhe se heqja e tyre mund të bëhet me çfarëdo mënyre është mendim më i saktë.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku