Pyetja:

A lejohet leximi i Kuranit për prindërit, qofshin ata të gjallë apo të vdekur, duke pasur parasysh se ata nuk dinë shkrim dhe lexim?

***

Përgjigjja:

Ata kanë shpërblim për atë që të kanë mësuar ty Kuranin, dhe kanë shpërblim për edukimin që të kanë dhënë, prandaj nuk ka nevojë të thuash: Unë po lexoj Kuran për prindërit e mi. Për çdo vepër të mirë që kryen fëmija, për të cilën prindërit kanë qenë shkak, ne shpresojmë prej Allahut të Lartësuar që ajo të shkruhet në librin e veprave të tyre.

Leximi i Kuranit është një adhurim personal, njësoj si namazi. Prandaj ashtu siç nuk i lejohet njeriut që të falë namaz në vend të prindërve të tij, po ashtu nuk i lejohet atij që ta lexojë Kuranin për prindërit e tij.
Rregulli për sa i përket adhurimeve është se tek ato ndalemi. (Nuk veprojmë asgjë prej tyre nëse nuk kemi argument).

Dhe imam Ibn Kethiri përmend në tefsirin e tij, tek fjala e Allahut të Lartësuar: “Dhe se njeriu nuk shpërblehet veçse për atë që ka vepruar”, thotë, Allahu e mëshiroftë: Imam Shafiu prej këtij ajeti ka kuptuar (ka nxjerrë rregullin fetar) se nuk lejohet këndimi i Kuranit për të tjerët.” Dhe se njeriut nuk i takon veçse ajo që ai punon.”
Allahu i Lartësuar është më i Dijshmi!

Shejh Mesh’hur Hasen

Përktheu: Emin Bilalli