Pyetja:

E kam hundën e thyer dhe të lakuar, a më lejohet ta bëj atë operacion plastik?

***

Përgjigja:

Allahu i Madhërishëm e ka krijuar njeriun në formën më të bukur dhe e ka dalluar nga të gjitha krijesat tjera në tokë. Allahu i Madhërishëm, në Kuranin famëlartë ka thënë:
Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur.’’ (Tin: 4)
Për atë, njeriu sado të mendojë se mund të bëjë në trupin e tij diçka më të bukur përmes intervenimeve kirurgjike, gabon. Ai mund vetëm ta shëmtojë atë që Allahu i Madhërishëm e ka krijuar me masë të duhur në trupin e njeriut. Në veçanti kur janë në pyetje femrat, ato gabojnë kur mendojnë se përmes disa intervenimeve mund të duken më të bukura. Buzët, dhëmbët, sytë, vetullat, fytyrën, gjoksin etj., i ka krijuar i Lartmadhërishmi në formën më të bukur, e intervenimi i disa femrave në këto pjesë, assesi nuk e zbukuron, por ia humb pamjen e bukurisë origjinale, ashtu si e ka krijuar Allahu i Madhërishëm, ngase Allahu i Madhërishëm çdo gjë e ka vënë në vendin e vet dhe e ka bërë me masë të duhur.

Animi kah intervenimet e këtilla në trupin e njeriut për një pamje më të bukur, apo për të larguar një kompleks, siç ndodh me shumë femra, apo me meshkuj të ngjyrës së zezë, janë nxitje e shejtanit për ta ndryshuar krijimin e Allahut të Madhërishëm. Shejtani është zotuar se do të bëjë çmos që t’i shtyjë njerëzit ta ndryshojnë krijesën e Allahut, dhe këtë e ka arritur në masë të madhe, në veçanti në këtë kohë. Kur’ani rrëfen se si është shprehur shejtani për këtë gjë: ’’Ai ka thënë: ”unë do të përfitoj një pjesë të caktuar të robërve të Tu.” Do t’i shmangë (nga e vërteta), do t’i bëjë të shpresojnë në gjëra të kota; do t’i urdhërojë dhe ata do të shqyejnë veshët e bagëtive; do t’i urdhërojë dhe ata do të shëmtojnë krijesat e Allahut…” (Nisa: 118-119)

Po ashtu, edhe i Dërguari i Allahut ﷺ në disa hadithe të tij, ka folur për ndalimin e disa veprimeve, të cilat janë shëmtim i krijesës së Allahut të Madhërishëm. Në këtë kontekst, transmentohet prej Ibën Mes’udit se ka thënë: “Allahu i mallkoftë ato që bëjnë tatuazh dhe ato gra që kërkojnë t’u bëhet tatuazh, ato gra që i marrin vetullat dhe ato që kërkojnë t’u bëhet kjo, dhe ato që i ndajnë dhëmbët për shkak bukurisë, të clat e ndrrojnë krijaturën e Allahut të Madhërishëm. Pastaj Ibën Mes’udi tha: “Pse mos ta mallkoj atë që e ka mallkuar i dërguari i Allahut ﷺ, sepse kjo është në librin e Allahut të Madhërishëm.” [1]

Mirëpo, kjo që thamë nuk vlen, nëse është fjala për riparim të ndonjë deformimi që ka ndodhur në trupin e njeriut. Nëse, në trupin e njeriut, gjindet diçka që është jonormale, fjala vjen të ketë njeriu në njërën dorë gjashtë gishta, apo ta ketë hundën të shtrembër, apo të ketë dhëmb mbi dhëmb, e të ngjashme, atëherë është e lejuar që të bëhet intervenim kirurgjik për ta kthyer deformimin në gjendje normale.

Me këtë rast, nëse ju keni ndonji deformim në hundë, atëherë lejohet të bëhet operacion plastik për ta mënjanuar atë deformim. Kjo nuk ka të bëjë me shëmtimin apo ndryshimin e krijaturës së Allahut, por me kthimin e një deformimi në gjendje normale, dhe që të keshë pamje normale.

Intervenim i këtillë në hundë, ka ndodhur edhe në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, dhe ai e ka miratuar. Kështu kanë transmetuar prej Abdurrahman ibn Tarefes se gjyshit të tij, Arfexhe ibn Es’ad, i është këputur hunda në luftë, e ai ka bërë një hundë prej argjendi. Por, pas një kohe i është qelbur, dhe i Dërguari i Allahut ﷺ e ka urdhëruar të bëjë një hundë prej ari. [2]

Pra, nga ky hadith qartë kuptohet se lejohet intervenimi kirurgjik, apo operacioni plastik, në rast se është fjala për shërim të ndonjë pjese, apo për mënjanim të ndonjë mangësie. Në atë kohë i kanë përdorur mënyrat ekzistuese të shërimit, e në këtë kohë do të përdoren mënyrat e sotme medicinale të shërimit, gjegjësisht operacioni plastik.

Për atë, thënë troç, lejohet të bësh operacion plastik për ta mënjanuar mangësinë e hundës.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu

————————

[1] Buhariu

[2] Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu