Pyetja:

Zakonisht para se të bie të fle, e them (këndoj) Ajetul-Kursinë, si dhe suret: Ihlas, Felek dhe Nas (tri suret e fundit në Kuran). Mirëpo të njëjtën gjë e praktikoj edhe gjatë ditëve të ciklit menstrual. A është një gjë e tillë e ndaluar, për shkak se gjatë atyre ditëve d.m.th. jam e papastër, apo jo?

***

Përgjigjja:

Nuk pengojnë menstruacionet nga leximi përmendësh i ajeteve apo sureve të Kuranit, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, pasi nuk ka argumente të qarta që e ndalojnë këtë gjë. Dijetarët që e ndalojnë një gjë të tillë e krahasojnë femrën me cikël menstrual me xhunubin, për të cilin ka ndalesë që të lexojë Kur’an. Mirëpo dallimi në mes të dyve është më se i qartë, sepse xhunubi mund të pastrohet menjëherë apo të merr tejemum nëse i mungon uji, ndërsa femra nuk ka mundësi të del nga të përmuajshmet e saj me vullnetin e saj, kështu pra i lejohet asaj që të lexojë ajete të Kuranit, lutje të ndryshme etj.

Femrës gjatë ciklit menstrual i ndalohet të lexojë Kuran drejtpërdrejt nga mus’hafi, kurse nuk i ndalohet të lexojë përmendësh sure të caktuara apo ajete që janë në formë të duave – lutjeve.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku