Pyetja:

Allahu ju dhëntë xhenetet e Tij të larta për punimet që keni punuar, e sidomos për ato punime si “Fjalori për komentimin e ëndrrave” , “Ikra nr 1” etj., që më kanë lënë përshtypje të thellë dhe shumë dobiprurëse. Desha të pyes se a më lejohet ta shpërndaj këtë material dhe si këshillë prej meje, nëse ka mundësi, pasi e lexova punimin Ikra, më pëlqeu shumë, por kisha pasur dëshirë që dy temat e para të jenë një mundësi për kuptimin më të gjerë rreth Ditës së Gjykimit me ajete dhe hadithe nga pikësynimi i gjykimit islam rreth kësaj çështjeje për ata që e besojnë këtë gajb dhe për ata që ballafaqohen me dyshim në këtë çështje për shkak të imanit të tyre të dobët. Unë kisha pasur dëshirë që të jetë më ambiciozë dhe më i qartë për njerëzit të cilët janë në xhahilit për shkak se ata ende nuk dinë se kush janë xhehmijët, kush është rruga e vërtetë e kush e lajthitur. Mendoj që të jetë tema sa më shumë për fillestarë dhe diçka tjetër në fund të këtij punimi të ishte një ilahi. Kishte me qenë mirë që të jetë një pjesë e ndonjë ligjërate ose ndonjë ilahi shqip për shkak që të jetë sa më inkurajuese, përndryshe ilustrimi dhe përpunimi i tekstit është pa asnjë vërejtje, është i hatashëm dhe prek në thellësi të zemrës.
Allahu ju dhëntë begati edhe më shumë dhe ju shtoftë durimin dhe bereqetin në këtë punë dhe gjithashtu ju ngrittë në xhenetet e larta inshallah!

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Pa dyshim se keni mundësi t`i shpërndani temat dhe materialet që gjenden në faqe dhe lusim Allahun e Lartësuar t’ju shpërblejë për kontributin tuaj në përhapjen e fjalës së mirë. Gjithashtu jemi mirënjohës për këshillën që na keni dhënë rreth trajtimit të temave që kanë të bëjnë me Ditën e Gjykimit. Por ju duhet ta keni parasysh se një temë për një problematikë të caktuar nuk mund të jetë e trajtuar njësoj për të gjithë njerëzit dhe shtresat, prandaj tema që keni lexuar ju nuk është e dedikuar për shtresën që mohon në mënyrë të prerë Ditën e Gjykimit dhe nuk i pranon argumentet nga Kurani dhe Suneti, i dedikohet atyre që i pranojnë këto dhe kanë nevojë për t`u njohur më qartë rreth gjërave që kanë të bëjnë me Ditën e Gjykimit.
Megjithëkëtë këshilla juaj është me vend dhe është e nevojshme të bëhen edhe trajtime që u dedikohen mohuesve dhe atyre që nuk pranojnë Kuranin dhe Hadithin. Allahu i Lartësuar në shumë vende në Kuran i flet kësaj shtrese duke filluar nga argumentet logjike që ekzistojnë. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi