Pyetja:

Duke punuar nuk më jepet mundësia të fal namazin e ikindis dhe të akshamit, a më lejohet t’i fal kaza?

***

Përgjigjja:

Së pari duhet theksuar se namazi është farz për çdo musliman i cili i plotëson kushtet e parapara.

Namazi është farz në kohë të caktuar, edhe atë pesë herë në ditë. Për këtë, besimtari duhet të mundohet që namazin ta fal në kohën e vet dhe mos i kalojë. Bile edhe nëse punon, namazin duhet ta falë, edhe atë gjatë pauzës. Nëse nuk ka pauzë, atëherë duhet të merret vesh me punëdhënësin dhe të kërkojë prej tij që t’ia mundësojë për pesë apo dhjetë minuta ta fale namazin që e zënë në kohën e punës. Atë kohë sa e kalon duke e falur namazin, duhet ta kompensojë pas kohës së punës.

Bile, edhe kur shkon dikund të kërkosh punë, çështjen e namazit duhet ta veshë si pikë në marrëveshjen e punës. E di se të gjithë punëdhënësit nuk janë të njëjtë, por besoj se ka mundësi të arrihet në mirëkuptim. Nëse një besimtar është i sinqertë në vendosmërinë për ta falur namazin, besoj se Allahu i Madhërishëm do t’i bëjë zgjidhje dhe do t’i ndihmojë që ta arrijë qëllimin e vet. Muslimani duhet të mundohet që mos e bjer punën që namazi t’i ngelet kaza.

Por, nëse ngelet kaza, atëherë duhet ta falë kaza atë namaz i cili i ka mbetur. Nafile quhet namazi vullnetar jo obligativ, e namazi i ngelur është namaz obligativ. Për këtë, namazi i mbetur falet kaza e jo nafile. Kjo, ngase ju e përcaktoni saktë se për cilin namaz bëhet fjalë, gjegjësisht bëhet fjalë për namazin e asaj dite, dhe ky namaz duhet të falet kaza.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu