Pyetja:

Në rastin e tërmetit isha duke falur namazin, në raste të tilla a më lejohet të shkëputem nga namazi dhe të falem më vonë apo duhet të vazhdoj namazin pa marrë parasysh rrezikun?

Po ashtu namazi me xhemat, a mund të falet jashtë xhamisë dhe jo në xhami nga frika, se mund të bie tërmet dhe jemi brenda ndërtesës?

***

Përgjigjja:

Qoftë në rastin e tërmeteve apo dukurive të tjera natyrore, që Zoti i çon me rrezikshmëri të lartë për jetën e njerëzve, apo për dëme të tjera shëndetësore dhe materiale lejohet që namazliu të shkëputet nga namazi dhe të gjejë rrugëdalje për të qenë më i sigurt dhe namazin e fal më vonë pasi të jetë qetësuar gjendja. Tërmetet, përmbytjet, vërshimet, shembjet, rrufetë dhe dukuri të tjera të ngjashme nga të cilat njerëzit tremben, janë shkak që e bëjnë njeriun të shkëputet nga namazi, madje disa dijetarë kanë thënë se kjo është detyrë, sepse Allahu në Kuran thotë:

“Mos e çoni veten tuaj në shkatërrim!” (Bekare, 195).

Edhe në rastet kur nuk është vet në rrezik, por dikush tjetër pranë tij, bie fjala kur dikush është në rrezik për jetën  nëpërmjet rrymës elektrike, zjarrit, rënies nga ndërtesat, mbytjes e të tjera rreziqe të ngjashme lejohet të shkëputet nga namazi, që të shpëtojë të tjerët nga rreziku. Imam Ibn Kudame el-Makdisi, në librin e tij el-Mugni 3/97 përcjellë fjalën e imam Ahmed ibn Hanbelit, i cili thotë: “Kur dikush është në namaz dhe shikon dy fëmijë duke u zënë dhe grindur me njëri-tjetrin dhe ka frikë, se njëri mund ta hedhë tjetrin në pus, shkon tek ata, i shpëton nga rreziku dhe kthehet sërish në namazin e tij.” Sipas imam Ahmedit, ai mund të kthehet dhe ta vazhdojë namazin aty ku e la, ndërsa sipas shumë dijetarëve të tjerë, ai shkëputet nga namazi dhe e fal më vonë nga fillimi, pasi të ketë mbaruar rreziku.

Edhe çështja se mund të falen me xhemat në xhami apo jashtë ka tolerancë. Ata mund të falen edhe jashtë xhamisë, nëse ndjehen më të sigurtë, por siç përmendin shumë dijetarë mund të falen dhe secili më vete, nëse shikojnë se ashtu është më e sigurtë dhe më larg rrezikut.

Allahu e di më së miri.

Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë