Pyetja:

Cili është komenti i hadithit: “Do i pasoni traditat e popujve para jush pëllembe pas pëllëmbe derisa nëse hyn në vrimën e hardhucit do të hyni edhe ju”?

***

Përgjigjja:

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Allahut ﷺ, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Ka ardhur në dy librat e saktë nga Ebi Seid el Hudri se Profeti ﷺ, ka thënë: “Do të ndiqni ata të cilët kanë qenë para jush pëllëmbë për pëllëmbë, saqë nëse do të hynë në vrimën e hardhucës do të hynin. Njerëzit thanë: Cilët janë ata o i dërguar i Allahut, çifutët dhe të krishterët? “E kush tjetër veç tyre iu përgjigj profeti”.

Ky është një hadith i madh i cili tregon edhe njëherë për profetësinë e Muhamedit ﷺ, i cili tregon që 1400 vjet se si do të katandiset umeti i tij dhe një gjë e tillë sot duket qartë. Gjen muslimanët që i imitojnë çifutët dhe të krishterët në çdo të madhe e në çdo të vogël, në veshje, në të folur, në mënyrën e jetesës, në adhurime e kudo.

Dhe dijetari i madh Ibën Tejmije Allahu e mëshiroftë ka marr shkas nga ky hadith dhe ka shkruar një libër madhështor rreth tij të cilin e ka quajtur: “Ndjekja e rrugës së drejtë dhe dallimi nga banorët e xhehimit (zjarrit)”

Ky dijetar në këtë libër ka thënë se Profeti ﷺ ka lajmëruar që nga ky umet (muslimanët) do të ketë të atillë që do të ngjasojnë me çifutët dhe të krishterët.

– Ka përmendur ndër të tjera se çifutët dhe të krishterët i morën varret e profetëve të tyre si faltore dhe pati nga ky umet që i përngjan atyre duke marrë varret si faltore.

– Çifutët dhe të krishterët e adhurojnë Zotin (sipas pretendimeve të tyre) një herë në javë dhe ditët e tjera adhurojnë qejfet e dynjasë. Gjen nga ky umet që e adhurojnë Allahun në ditë xhumaje e ditët e tjera janë bërë si Çifutët dhe të krishterët.

– Allahu thotë për çifutët: “Në mesin e hebrenjve ka nga ata që i nxjerrin fjalët nga konteksti i tyre“. (Nisa, 46).  Ndërsa në një ajet tjetër thotë: “Me të vërtetë, një grup ithtarësh të Librit e shtrembërojnë Librin me gjuhët e tyre (ndërsa e lexojnë atë), që ju të mendoni se ai farë leximi është prej Librit (që ka zbritur Allahu), kurse në të vërtetë, nuk është prej Librit. Ata thonë: “Kjo që lexojmë është nga Allahu”, por ajo nuk është nga Allahu. Ata flasin gënjeshtra për Allahun, duke qenë të vetëdijshëm për këtë.” (Ali Imran, 78)

Dhe vërtet pati në këtë ymet të atillë që i shtrembëronin ajetet (fjalën) e Allahut dhe kjo ka ndodhur shumë tek grupet e humbura të dala nga ky ymet.

– Allahu i është drejtuar të krishterëve: “O ithtarët e Librit! Mos e kaloni kufirin në besimin tuaj dhe për Allahun thoni vetëm të vërtetën! Mesihu – Isai, i biri i Merjemes, është vetëm i Dërguar i Allahut dhe Fjala e Tij“. (Nisa, 171)

Por pati nga ky umet (tek grupet e humbura) që i përngjanë të krishterëve aq sa morën prijësit dhe njerëzit e mirë si shenjtorë, u dhanë atyre cilësi të Allahut, madje pati prej tyre (si ekstremistët prej sufive) të cilët thanë fjalë që janë kufër më i madh se ai i çifutëve dhe të krishterëve.

– Allahu ka thënë për Çifutët dhe të krishterët: “Hebrenjtë thonë: “Të krishterët nuk kanë kurrfarë udhërrëfimi ku të mbështeten!” Edhe të krishterët thonë: “Hebrenjtë nuk kanë kurrfarë urdhërrëfimi ku të mbështeten!” Ndërkohë, të dyja palët lexojnë të njëjtin Libër“. (Bekare, 113)

Por edhe ne shohim sot se shumë prej grupacioneve të këtij umeti e mohojnë tjetrin dhe ka ndodhur edhe këtu ajo që ka thënë Profeti ﷺ, se ky umet do të përçahet më shumë se çifutët dhe të krishterët.

Pra, Profeti ﷺ në këtë hadith shpjegon se si do të ketë njerëz nga muslimanët që do t’i imitojnë çifutët dhe të krishterët verbërisht dhe në çdo gjë, aq sa nëse ndonjëri prej tyre do të hyj në gropën e hardhucës edhe ata do të rendin pas tij të hyjnë.

E lusim Allahun të na ruaj nga përngjasimi me ta, të na bëjë krenarë që jemi muslimanë dhe të na vdesë si të tillë, Amin! Allahu e di më së miri.

Bledar Haxhiu