Pyetja:

A lejohet (konsiderohet) namazi nëse nuk fol me dikën d.m.th.(për shkak hidhërimi njeri me tjetrin për arsye të ndryshme). Por kjo d.m.th. me fajin e palës se kundërt.

***

Përgjigja:

Hidhërimi me muslimanin (vlen për dy gjinitë, në të gjitha anët) dhe mbajtja e hidhërimit më shumë se tri ditë nuk lejohet dhe është haram në Sheriatin Islam. Për këtë ndalim kemi hadithe të shumta, por do ta përmendi një hadith, që na shkakton huti, si në rastin e pyetësit. I Dërguari, ﷺ, ka thënë: “Veprat ekspozohen çdo të hëne dhe të enjte dhe Allahu i falë mëkate çdo njeriu, që nuk i ka bërë Allahut ortakëri në asgjë, përveç një gjëje nëse dy veta kanë ndërmjet veti armiqësi e urrejtje e Allahu thotë: lëni këta dy deri sa të pajtohen, lëni këta dy deri sa të pajtohen.” [1]
Nga ky hadith mësohet se falja e Allahut nuk u takon personave që kanë armiqësi ndërmjet vete, por kjo nuk është në kundërshtim me pranimin e veprave si namazi, nëse i plotësojnë kushtet e veta. Pranimi i veprave është një gjë, kurse falja ekstra prej Allahut është një gjë tjetër. Pra Allahu i pranon veprat e tjera të mira dhe kërkon që të largohemi edhe prej të tjerave që janë të liga.
Fakti se kush është fajtor për hidhërim mbetet si mëkat i iniciuesit, por kjo nuk është asgjë justifikuese, që i pafajshmi ta mbajë hidhërimin. Pra për shkaktimin e hidhërimit është mëkatar fajtori, por për vazhdimin e tij më shumë se tri ditë, janë fajtorë që të dy. Për këtë arsye i Dërguari, ﷺ, ka thënë: “…më i miri prej tyre (të hasmuarëve) është ai që fillon i pari me selam.” [2]

Sido që të jetë duhet të nxitohet në përmirësimin e marrëdhënieve me muslimanin e të mos mbahet hidhërim. Edhe nëse veprat pranohen, nuk është e paktë ta humbim amnistinë e madhe të Allahut që të marrim falje speciale prej Tij çdo të hëne dhe të enjte.
Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku

————————

[1] Muslimi

[2] Buhariu dhe Muslimi