Pyetja:

Çfarë këshille keni për ata njerëz të cilët hyjnë në xhami shumë të papastër, ngase punojnë në punë të tilla në të cilat s’mund të jenë të pastër? A duhet ata të marrin me vete ndonjë sexhade, në mënyrë që papastërtinë e tyre të mos e vuajnë edhe të tjerët?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Allahu i Lartmadhërishëm i ka bërë xhamitë vend për adhurim, praktikisht janë vendi më i mirë në tokë për t’u adhuruar Allahu xh.sh., prandaj dhe quhen xhami, Shtëpi të Allahut, siç thotë Allahu: “Xhamitë janë veçantë për të adhuruar Allahun.” (ElXhin: 18) Nga ky këndvështrim themi se feja islame i ka kushtuar theks të veçantë përkujdesjes ndaj pastërtisë në xhami. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se Pejgamberi, ﷺ, urdhëronte të ndërtohen xhamitë, të pastrohen e të parfumohen. [1] Në anën tjetër, i Dërguari i Allahut, ﷺ, e ndalonte çdo veprim apo ushqim që mund të shkaktonte aromë jo të këndshme në xhami, se mund të bezdisen muslimanët që janë në të, siç është rasti me ndalimin e ngrënies së hudhrës, qepës e të ngjashme e pastaj shkuarja në xhami me atë aromë (përkundër faktit se hudhra dhe qepa janë të lejuara të hahen dhe shumë të shëndetshme), për shkak të kundërmimit të erës së tyre, e cila i shqetëson xhematlinjtë. Praktikisht Pejgamberi, ﷺ, u bën thirrje atyre që hanë qepë apo hudhër që të mos shkojnë në xhami, të falen në shtëpi, përkundër faktit se vlera e faljes në xhami është shumë e madhe.

Duke u bazuar në këto fakte e shumë të tjera, themi se muslimani e ka për detyrë ta ruajë pastërtinë në xhami, përndryshe konsiderohet mëkatar nëse e ndot atë apo ambientin e saj. Për këtë Allahu i Gjithëmëshirshëm urdhëron dhe thotë: “O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje)…” (ElAraf: 31) Thirrja kuranore për veshje të bukur aludon si bukurinë e rrobave ashtu edhe pastërtinë e tyre. Po ashtu duhet ditur që ruajtja e pastërtisë në ambientin e xhamisë është shenjë e përkujdesjes së simboleve të Allahut xh.sh., që tregon për devotshmërinë e muslimanit, siç thotë Allahu në Kur’an: “Kjo është kështu! E kush madhëron dispozitat e Allahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave.” (ElHaxh: 32)

Nga këtu themi se ai që shkon në xhami duhet t’i kontrollojë rrobat e tij, duke filluar nga çorapet, që të mos jenë të ndyta, e pastaj edhe rrobat e tjera, posaçërisht pantallonat. Ata që kryejnë punë fizike, si p.sh. automekanikët, pastruesit e rrugës, etj., mundësisht duhet t’i ndërrojnë rrobat e jashtme apo kur të futen në xhami të kenë me vete sexhade, me kusht që era e tyre të mos jetë e padurueshme për ata që falen afër tyre, apo që të mos ua tërheqin vëmendjen atyre që kanë afër e të bëhen shkaktarë të shpërqendrimit në namaz të të tjerëve. E mos dhëntë Allahu që dikush të mos vijë në xhami për shkak të dikujt që me aromën apo rrobat e tij e ndot xhaminë!

Allahu e di më së miri.

Redaksia e albislam

————————

[1] Tirmidhiu dhe Ebu Davudi