Pyetja:

Vëllezër të nderuar, çfarë mendoni për librin Rregullat e natës martesore dhe të marrëdhënieve intime?
Kam disa dyshime rreth këtij libri, andaj nëse mundeni që të më jepni disa shpjegime:
*rreth hadithit që ceket (për saktësinë e tij)
*rreth autorit të librit (kush është ai)
*rreth librit në përgjithësi
*ose nëse mundeni edhe rreth kësaj faqeje në përgjithësi.

***

Përgjigja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Libri për të cilin ju bëni pyetje titullohet “Rregullat e natës martesore dhe të marrëdhënieve intime”, i shkruar nga Ajetullah Udhma Muhammed Shirazi, i përkthyer nga Musa Haruni dhe Muhsin Aliu.

Ky libër është libër shiit dhe nuk lejohet të lexohet apo të përhapet në mesin e muslimanëve shqipfolës. Gjithashtu edhe shkruesi është pasues i sektit shiit. Nuk është e nevojshme të lexohet shumë për të parë se çfarë mësime përmban libri. Gjërat të cilat përmenden aty janë hadithe të trilluara dhe të shpifura ndaj Imam Aliut dhe pasardhësve të tij, Allahu qoftë i kënaqur me ta. Veprimet të cilat aty përmendën si gjëra të preferuara janë besëtytni dhe nuk kanë bazë të shëndoshë në praktikën e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, dhe në praktikën e shokëve të tij, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë.

Në fund të librit përmendet se transmetimet të cilat jepen në atë libër janë marrë nga një libër me emër “Mekarimu Ahlak”, i cili njihet si libër i shiitëve.

Gjithashtu edhe faqja për të cilin ju bëni pyetje është faqe e cila promovon mësime shiite, prandaj ju këshillojmë që të mos hyni aty, pasi, falënderimi i takon Allahut, keni me dhjetëra faqe të tjera të cilat ofrojnë mësime të pastra islame.
Lusim Allahun e Lartësuar t’i forcojë muslimanët në të vërtetën dhe t’i mbrojë ata nga e keqja, amin!

Alaudin Abazi