Pyetja:

Nuk mundem të koncentrohem në asgjë, qoftë libër apo diçka tjetër. Nuk mund të vendos ende për diçka më me rëndësi. Ku qëndron problemi?

***

Përgjigjja:

Falenderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Caktimi i qëllimeve në jetë është shumë i rëndësishëm për njeriun që dëshiron të ketë sukses në punën e tij, prandaj të këshilloj që të mundohesh në veten tënde të mendosh shumë për qëllimet e tua në jetë. Çfarë është qëllimi yt nga fakulteti apo shkolla të cilin e ke filluar, a ke qëllim nga ajo vetëm mbushjen e zbrazëtirës apo me të vërtet ke zgjedhur atë për shkak se ke objektiva të caktura që ia ke vendosur vetes tënde dhe ti duhet t’i realizosh ato. Prandaj unë të porosis me këto këshilla:

  • Duhet të dish se në këtë jetë nuk arrihet (realizohet) diçka e madhe pa vullnet.
  • Se njeriu nuk shkatërrohet kur humb diçka, por kur tërhiqet.
  • Pastaj ai që fiton është ai që është më i qëndrueshëm dhe që ka durim dhe se arma më e sukseshme që posedon njeriu është koha dhe durimi.

Gjithashtu, është e rëndësishme të dimë edhe se shejtani është përbetuar para Allahut se do të mundohet me të gjitha mundësitë që i ka në dispozicion t`i devijojë njerëzit: “Ai (shejtani) tha: “Pasha madhërinë Tënde! Kam për t’i shmangur prej rrugës së drejtë që të gjithë, përveç atyre që janë të sinqertë nga robërit e Tu!” (Sad :8283)

E një nga metodologjitë më të sukseshme të tij është parregullsia në planifikimin e jetës, ai ka dëshirë që ti të mos kesh rregull në organizimin e programit të jetës, kështu që ti të mos kesh orar se kur fle, kur ha ushqim, kur mëson e kështu me radhë. Kështu që, ai vazhdon të të bëjë kurthe çdo herë ty dhe ti vazhdon të biesh në to. Prandaj duhet gjithmonë që t’i kundërvihesh atij duke e aktivizuar veten sa herë që vëren se ke pesimizim dhe nuk ke vullnet. Në një hadith të vërtet që tregohet se derisa muslimanët së bashku me Profetin ﷺ ishin duke u kthyer nga një betejë, u ndalën në një vend për të kaluar natën, mirëpo nga lodhja dhe raskapitja (për shkak të betejës dhe rrugës) Profeti ﷺ u frikësua se mos po u kalon koha e namazit të sabahut, atëherë Bilali – Allahu qoftë i kënaqur me të! – e merr përsipër dhe thotë se unë nuk do të fle dhe do ta pres sabahun. Pasi i zë gjumi të gjithëve nga lodhja e zë gjumi edhe Bilalin dhe kur zgjohet, dielli kishte lindur. Ngrihet dhe e thërret ezanin, ngrihen të gjithë, marrin abdes dhe Profeti ﷺ urdhëron të largohen nga ai vend për shkak se ai vend është ku shejtani ka qenë prezent dhe i ka bërë kurthet e tij që të mos arrijnë të zgjohen e të falin namazin. [1]

Nga ky hadith, përveç shumë çështjeve të tjera të rëndësishme që mund të nxjerim, e që nuk është vendi të sqarohen këtu, është edhe ajo se njeriu duhet të largohet nga përditshmëria rutinore me të cilat mësohet, por duhet të bëjë riaktivizime në jetën e tij dhe ndryshime për të mirë me çka edhe i shkatërron kurthet që ia vendosë shejtani në rrugë.

Prandaj, në fund, ju këshillojmë që të largoheni nga pesimizmi dhe mendimet që e dobësojnë aktivitetin tuaj, ki parasysh se jeni në kohën më të frytshme të jetës, periudha e rinisë, koha të cilën çdo njeri e vajton pasi të përshëndetet me të dhe ju gjithashtu do ta vajtoni, por le të jetë ky vajtim jo pse ka kaluar pa e shfrytëzuar fare, por se ju e shfrytëzuat atë dhe do të dëshironit ende të ishit në këtë fazë që të vazhdonit edhe më shumë në aktivitete.

Alaudin Abazi

———————-

[1] Muslimi