Derdhja e gjakut të kafshës në themelin e shtëpisë së re

117. I nderuar hoxhë! Kam filluar ndërtimin e një shtëpie, por disa po më thonë që të pres kurban dhe ta derdh gjakun në themel. Disa po më thonë të vendos në themel para, ar, etj… Si më këshillon hoxha?

Përgjigjja: Sipas rregullave islame, therja e kafshës bëhet për dy qëllime:

a) Therja e kafshës për shkak të nevojës që kemi për mish, sikurse veprojnë shumica e njerëzve. Që të jetë mishi i kafshës së therur i lejuar, kushtëzohet që therësi (kasapi) të jetë musliman, ose ithtar i librave qiellorë (i krishterë ose hebre). Allahu xh.sh. thotë:

”Sot u lejuan për ju ushqimet e mira, edhe ushqimet (të therurat) e ithtarëve të librit (të krishterëve dhe çifutëve) janë të lejuara (hallall) për ju.” (Maide: 5)

Gjatë therjes duhet të përmendet emri i  Allahut xh.sh. si dhe të respektohen dispozitat e parapara islame.

Nëse gjatë therjes nuk përmendet emri i Allahut qëllimisht, ose përmendet emri i tjetërkujt, si p.sh. therja bëhet në emër të ndonjë idhulli ose therësi (kasapi) është ateist, atëherë mishi i kafshës së therur nuk konsiderohet i lejuar. Allahu xh.sh. thotë:

“Ju (besimtarë) hani nga ajo që (është therur dhe) është përmendur emri i Allahut, po që se jeni të bindur në faktet e Tij.” (En’am: 118)

Po ashtu Allahu xh.sh. thotë:

“Dhe mos hani nga ajo që (para therjes së saj) nuk është përmendur emri i Allahut, vërtet ajo (ngrënia) është mëkat. Djallëzit i nxisin miqtë e vet që t’ju polemizojnë ju, e nëse i dëgjoni ata, atëherë jeni si ata (idhujtarë).” (En’am: 121)

Nëse gjatë therjes për shkak të harresës nuk përmendet emri i Allahut, shumica e dijetarëve mendojnë se ngrënia e mishit të kafshës në këtë rast është e lejuar, ngase muslimani emrin e Allahut gjithnjë e ka në mendje dhe në zemër.

b) Therja e kafshës me qëllim adhurimi dhe afrimi te Zoti i Madhërishëm, që tek ne njihet me termin kurban. Në raste të këtilla therja e kurbanit patjetër duhet të bëhet për hir të Allahut të Lartësuar ngase është adhurim, e adhurimi i drejtohet vetëm Allahut xh.sh. dhe askujt tjetër. Allahu xh.sh. thotë:

“Thuaj: Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve.” (En’am: 162)

Po ashtu Allahu xh.sh. urdhëron:

“Andaj ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd!” (Kevther: 2)

Ali bin Ebi Talibi transmeton se Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: “Allahu e mallkoftë atë që ther për dikë tjetër pos Allahut!”[1]

Nëse therja e kurbanit bëhet për hir të ndonjë meleku, Pejgamberi, evliaje, ose me qëllim kinse të largimit të shpirtrave të këqij, atëherë kjo konsiderohet besëtytni pagane, e cila është në kundërshtim të plotë me besimin e pastër islam, ndërsa kryesi i kësaj vepre ka bërë mëkatin më të madh në Islam, që është shirku (shoqërimi i Allahut me dikë tjetër në adhurim), të cilin Allahu xh.sh. është zotuar se nuk do ta falë pa pendim. Allahu xh.sh. thotë:

“S’ka dyshim se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i fal kujt do. Kush i përshkruan Allahut shok, ai ka trilluar një mëkat të madh.” (Nisa: 48)

Në rastin konkret, derdhja e gjakut në themelin e shtëpisë së re dhe besëtytni të tjera shumë të përhapura në trevat tona, si f.v. therja e kurbanit për Shën Gjergjin pranë tyrbeve të ndryshme, të gjitha burojnë nga besimet pagane, ku mendohej se gjaku i derdhur në themel të shtëpisë ndikon “që të mos dëmtohet dikush gjatë punimeve të shtëpisë, puna të ecë mbarë, të mos shembet shtëpia, të largohen shpirtrat e këqij nga shtëpia”, etj.

Paramendoni të nderuar, gjaku i derdhur që të ruan prej të ligave! Askush nuk ka mundësi të të ruajë prej të ligave dhe fatkeqësive pos Allahut të Lartësuar.

Me këtë veprim, gjakut të derdhur në themelin e shtëpisë i jepet një cilësi, një kompetencë që është vetëm e Allahut të Lartësuar. Të gjitha këto bindje konsiderohen shirk i madh që e nxjerrin personin nga Islami, prandaj dispozita e mishit të kurbanit të therur për këto qëllime, edhe pse gjatë therjes mund të përmendet emri i Allahut, është e njëjtë si e ngordhësirës dhe si e tillë ndalohet ngrënia e tij. Allahu xh.sh. thotë:

“O ju që besuat, hani nga të mirat që ua kemi dhënë dhe falënderoni Allahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni. (Allahu) Ua ndaloi juve vetëm të ngordhëtën, gjakun, mishin e derrit dhe atë që theret (ngrihet zëri me të) jo në emër të Allahut. E kush shtrëngohet (i imponohet të hajë nga këto) duke mos pasur për qëllim shijen dhe duke mos e tepruar, për të nuk është mëkat. Vërtet Allahu fal, është mëshirues.” (Bekare: 172-173)

Mundësia për ndërtimin e shtëpisë tek ne manifestohet me gëzim të madh, por gëzimin duhet ta shprehim duke qenë mirënjohës ndaj Furnizuesit Fuqiplotë, Allahut xh.sh., dhe jo duke praktikuar besëtytni të kota që janë në kundërshtim të drejtpërdrejt me mësimet e pastra të Islamit.

Nuk ka asgjë të keqe që me rastin e fillimit të punimeve të shtëpisë së re të theret një kafshë dhe prej mishit të saj të përgatitet ushqim për mysafirë apo një pjesë e mishit t’u shpërndahet të varfërve. Përkundrazi, ky veprim do të ishte dëshmi e bujarisë dhe mëshirës që buron nga besimi ynë i pastër islam.

Mirëpo bindja se para fillimit të shtëpisë duhet të theret kurban, të derdhet gjak apo të vendoset koka e kurbanit në themelin e shtëpisë së re, apo të vendoset aty ar, argjend, grurë, misër si dhe besëtytni të tjera të kota janë në kundërshtim të plotë me besimin islam. Besimtari duhet të qëndrojë sa më larg këtyre veprimeve të kota nëse dëshiron ta takojë Krijuesin e tij me iman dhe vepër të pranuar.

E lusim Allahun e Madhërishëm që të largojë nga umeti islam të gjitha besimet e kota. Amin!

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1]Muslimi nr. (1978) 43.