Pyetja:

Nuk di se si t’i largoj veset të cilat nuk po më lënë rehat të jetoj jetën prej muslimani dhe të kënaqem me bashkëshorten time. Këto vese janë kështu: natën kur bie të fle, shoh disa njerëz që unë i njoh, po nuk kam qejf të mendoj për ta dhe kurrë në mendje për ta më herët nuk më ka rënë, por tani po më bie. E kjo a është prej shejtanit? Kur flas me gruan, nuk e njoh, më duket si dikush tjetër. Shumë më kanë lodhur, që dy herë që më vinë të njëjtat vese, a mos e ka gjetur shejtani pikën time të dobët?

***

Përgjigjja:

Nuk ka dyshim që shejtani mundohet t’i largoj njerëzit nga rruga e drejtë dhe t’i shpjerë në telashe dhe sidomos qëllimi kryesor është të ndajë burrin prej gruas së tij.

Këto vesvese i ke pa dyshim prej shejtanit, për t’u mbrojtur prej tij duhet t’u përmbahesh këtyre gjërave:

1. Pa tjetër të falësh 5 kohët e namazit, shejtani nuk ka mundësi t’i afrohet një besimtari.

2. Të jesh gjithmonë me abdes.

3. Të bësh dhikrin e mëngjesit, mbrëmjes dhe fjetjes.

4. Ta lutësh Allahun xhele sha’nuhu të ti largojë këto dyshime dhe vese.

5. Të lexosh Kuran, sidomos suren El Bekare, nëse nuk di të lexosh, atëherë duhet ta dëgjosh këtë sure.

6. Kur të vinë këto dyshime, të pështysh (të pështysh pa pështymë) tri herë në anën e majtë dhe të thuash “Eudhu bilahi minesh-shejtanirr-rraxhim”.
Nëse u përmbahesh këtyre gjërave, inshallah nuk do të ketë mundësi shejtani të të afrohet më.

Eroll Nesimi