Dispozita e bërjes humor me fenë islame

Pyetja:

I nderuar hoxhë! A lejohet bërja humor me dinin e Allahut xh.sh., siç po bëjnë disa humoristë?

***

Përgjigjja:

Nëse shikojmë realitetin e shumë njerëzve, në veçanti të disa humoristëve që merren me komedi, me skeçe, pastaj të disa revistave dhe të tjerëve, gjejmë se në shumë raste kanë për objekt talljeje Allahun, Pejgamberin e Tij, Islamin, muslimanët ose ndonjë parim të fesë, si namazin, agjërimin, mbulesën e kështu me radhë. E keqja më e madhe është kur ato skeçe i shikojnë edhe muslimanët dhe madje qeshin me to apo relaksohen. Kjo në vetvete paraqet një rrezik të madh jo vetëm për ata që tallen me Islamin, por edhe për ata që i shikojnë.

Përqeshja e fesë islame, apo përqeshja e disa parimeve të fesë, konsiderohet kufër (mosbesim), ngase qëllimi i përqeshjes është nënçmimi dhe përbuzja, andaj përqeshja dhe përbuzja e fesë së Allahut është mosbesim i qartë. Në këtë gjykim hyn edhe përqeshja me muslimanët. Allahu xh.sh. thotë:

“E nëse i pyet ti ata (përse tallen), do të thonë: “Ne vetëm jemi mahitur e dëfryer”. Thuaj: “A me Allahun, librin dhe të Dërguarin e Tij talleni?” Mos kërkoni fare ndjesë, ju pasi (shpallët se) besuat, keni mohuar (keni bërë kufër me talljen tuaj). Nëse një grupi nga ju i falim, grupin tjetër e dënojmë, ngase ishin kriminelë.” (Tevbe: 65-66)

Ky ajet zbriti me rastin e talljes së disa hipokritëve me muslimanët, e Allahu gjykoi ndaj tyre se ata tashmë dolën nga feja. Imam Kurtubiu lidhur me këtë ajet kur’anor duke cituar nga Ibn El-Arabij ka thënë: “Ata njerëz atë që e kanë thënë ose e kanë thënë me seriozitet, ose e kanë thënë në formë shakaje, por sido që të jetë ata kanë bërë kufër dhe kanë dalë nga feja, ngase përqeshja e fesë është kufër-dalje nga feja, sipas ujdisë dhe konsensusit të të gjithë ulemave islamë.”[1]

Themi se nëse talljen e atyre njerëzve të cekur në Kur’an, Allahu e konsideron kufër, kur dihet se ata janë tallur me shokët e Pejgamberit [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem], atëherë kuptohet qartë se shfaqja e skeçeve me humor që për objekt përqeshjeje kanë namazin, hixhabin ose parime të tjera të Islamit është edhe më e dënueshme dhe se personat e tillë janë qafirë, jomuslimanë, dhe se nëse ata vdesin në atë gjendje pa u penduar, nuk bën t’u falet namazi i xhenazes, as të varrosen në varrezat e muslimanëve e as të lutemi për ta.

Allahu e përmirësoftë gjendjen tonë. Amin!

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

[1] Shiko Tefsir Kurtubij, 8/181.