Pyetje:

A është e lejuar të merren para me fajde?

***

Përgjigjja:

Fajde apo kamatë do të thotë shtesë e pasurisë e kushtëzuar në marrëveshje, pa kompensim, gjatë këmbimit të një pasurie me një tjetër.

Islami e ka ndaluar kamatën në të gjitha llojet, format dhe ngjyrat e saj sepse ajo përbën një fitim të pistë dhe pasuri të ndaluar, pasuri të cilën të pasurit kamatdhënës e marrin nga të varfrit nevojtarë pa të drejtë, pa mundim dhe pa punë. Kamata është e ndaluar në Kur’an, Sunet dhe me ixhma (mendim unanim të dijetarëve). Allahu xh.sh. thotë:

“O ju që besuat, kini frikë Allahun dhe nëse jeni besimtarë të sinqertë, hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata. E në qoftë se nuk e bëni këtë (nuk hiqni dorë nga kamata), atëherë binduni se jeni në konflikt me Allahun dhe të Dërguarin e Tij. E nëse jeni penduar, atëherë juve ju takon kryet e mallit tuaj – askënd nuk dëmtoni, e as vetë nuk dëmtoheni.” (Bekare: 278- 279)

Pra, aq i madh dhe aq i shëmtuar është mëkati i kamatës, saqë kush merr pjesë në transaksionet me kamatë i ka shpallur luftë Allahut dhe të Dërguarit të Tij [ﷺ].

Çdokush që bashkëpunon me kamatë konsiderohet se është në luftë me Allahun xh.sh.. Pa asnjë dyshim humbësi në këtë luftë është ai që merret me kamatë, ngase do të jetë i poshtëruar në këtë botë dhe i dënuar me zjarrin e xhehenemit në botën tjetër. Allahu i Lartësuar i përshkruan ngrënësit e kamatës në formën më të trishtuar, kur thotë:

”Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngrihen ndryshe vetëm se si ngrihet ai çmenduri nga të prekurit e djallit. (Bëjnë) Kështu ngase thanë: “Shitblerja nuk është tjetër, pos njësoj sikurse edhe kamata!” E Allahu e ka lejuar shitblerjen, por e ka ndaluar kamatën. Atij që i ka arritur këshillë (udhëzim) prej Zotit të tij dhe është ndalur (prej kamatës), atij i ka takuar e kaluara dhe çështja e saj mbetet tek Allahu, e kush e përsërit (pas ndalimit), ata janë banues të zjarrit, ku do të mbesin përgjithmonë. Allahu e zhduk kamatën dhe e shton lëmoshën, Allahu nuk e do asnjë besëprerë dhe mëkatar.” (Bekare: 275-276)

Për të kuptuar ligësinë e kamatës dhe rrezikun prej saj, i Dërguari i Allahut [ﷺ] ka thënë: ”Kamata ka shtatëdhjetë e tre dyer-lloje, më e lehta është sikur njeriu të bëjë marrëdhënie (zina) me nënën e tij. Me të vërtetë kamatë e kamatave (mëkat edhe më i madh se kaq) është nderi i muslimanit (ta prekësh në nder njeriun).” [1]

Ebu Hurejra r.a. gjithashtu transmeton se Pejgamberi [ﷺ] ka thënë: “Do të vijë një kohë për njerëzit kur do të hanë kamatën.” Ebu Hurejra pyeti: “A të gjithë njerëzit?” Ai [ﷺ] tha: “Ai që nuk do të hajë prej (kamatës), do të marrë prej pluhurit të saj.” [2]

Pejgamberi [ﷺ] ka paralajmëruar se do të vijë kjo kohë, ndërsa ne sot jemi dëshmitarë dhe po e përjetojmë këtë kohë, ngase aq shumë janë përhapur transaksionet me kamatë, saqë nuk ka shpëtuar prej saj përveç atij që Allahu e ka mëshiruar.

Duke u bazuar në këto argumente dhe shumë të tjera, të gjithë ulemaja islamë kanë rënë në konsensus se kamata është haram dhe se marrja apo dhënia e parave me fajde (kamatë) është ndër haramet më të mëdha që mund të bëjë njeriu dhe se personi i tillë i ka punët shumë keq te Zoti i Madhëruar. Allahu na ruajttë!

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Hakimi në Mustedrek, nr. 2259, apo fq. 2/37, dhe ka thënë: “Hadithi është sahih sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit”. Me këtë është pajtuar edhe Dhehebiu. Shiko: Sahih el-Xhami, nr. 3539

[2] Ebu Davudi, nr. 3331; Ibn Maxhe, nr. 2278. Albani ka thënë: “Hadithi është i dobët”. Bejhekiu në Kubra, 5/275.