Dispozita e namazit për atë që nuk ka mundësi ta mbajë abdestin

21. I nderuar hoxhë! Fal namaz rregullisht, mirëpo që prej dy vitesh kam problem me mbajtjen e abdestit, sa herë që marr abdest, menjëherë më prishet. Më udhëzoni, si duhet të veproj?

Përgjigjja: Prej vlerave madhështore të fesë islame është se parimet e saj u japin zgjidhje dhe përgjigje të gjitha nevojave që kanë njerëzit në jetën e tyre të përditshme.

Namazi për muslimanin është lidhja më e fortë që e lidh me Krijuesin e tij, Allahun xh.sh., prandaj për ne muslimanët falja e namazit përveçse është zbatim i urdhrit të Zotit të Madhërishëm, në të njëjtën kohë është nderimi dhe dhurata më e mirë që na është dhënë nga ana e Allahut xh.sh.. Me kryerjen e obligimeve Allahu xh.sh. nuk dëshiron të na vështirësojë, përkundrazi, të na lehtësojë. Allahu xh.sh. thotë:

“Allahu dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju.” (Bekare: 185)

Po ashtu Allahu xh.sh. thotë:

“…dhe nuk ju obligoi në fé me ndonjë vështirësi (me diçka çka nuk mundeni).” (Haxhxh: 78)

Marrja e abdestit, pastërtia e rrobave dhe e vendit ku do të falim namazin është prej kushteve të domosdoshme para se të hyjmë në namaz, mirëpo nëse muslimani për shkak të sëmundjes ose ndonjë arsyeje tjetër nuk mund të marrë abdest, ose vazhdimisht i rrjedh nga trupi diçka që e prish abdestin, atëherë në këtë rast kërkohet që brenda mundësive t’i plotësojë kushtet e kërkuara, por kurrsesi nuk i lejohet lënia e faljes së namazit me arsyetimin se “nuk është i pastër”.

Pastërtia është kusht për faljen e namazit për atë që ka mundësi, kurse ai që nuk ka mundësi t’i plotësojë kushtet e kërkuara, ai duhet ta falë namazin brenda mundësive të tij. Allahu xh.sh. thotë:

“Andaj, sa të keni mundësi ruajuni prej dënimit të Allahut…”(Tegabun: 16)

Çojini në vend urdhrat e Zotit aq sa mundeni, nuk ngarkoheni më shumë se aq.

Në rastin konkret, pyetësi nuk ka sqaruar se në çfarë forme i prishet abdesti, por sido që të jetë, nëse nga trupi i rrjedh pandërprerë urinë apo gjak, apo i dalin gazrat pa kontroll, gjendja e këtillë në shkencën e fikhut klasifikohet si sahibi udhr (person që ka justifikim). Ai duhet ta falë namazin normalisht si të gjithë të tjerët, përveçse duhet të marrë abdest për çdo kohë namaz.

Për shembull, nëse doni ta falni drekën, atëherë ju duhet të prisni që të hyjë koha e namazit të drekës e pastaj të merrni abdest. Me këtë abdest ju mund të falni namazin e drekës dhe të bëni ibadete të tjera deri në kohën e ikindisë. Me hyrjen e kohës së ikindisë, ju duhet të merrni abdest të ri. Aishja r.a. transmeton se një grua ka qenë në gjendje të istihadës (gjakrrjedhje të pandërprerë nga mitra) dhe e ka pyetur Pejgamberin [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] për namazin. Përveç të tjerash, Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] i ka thënë: “…dhe për çdo namaz merr abdest të ri.”[1]

Pasi pyetësi nuk na ka precizuar arsyen e prishjes së abdestit, duhet të tërheqim vëmendjen se ky lehtësim vlen vetëm për shkakun e shkaktuar nga çrregullimi.

Për shembull, nëse jeni sprovuar me gjakrrjedhje të pandërprerë dhe ndërkohë keni kryer nevojën fiziologjike, atëherë në këtë rast vlejnë rregullat e përgjithshme të prishjes së abdestit, pra në shembullin konkret ky lehtësim është i vlefshëm vetëm për rrjedhjen e gjakut dhe jo për veprime të tjera që e prishin abdestin.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Muslimi, nr. (334) 63.