Pyetja:

Selam alejkum!
E kam një hall të madh e nuk po gjej zgjidhje. Ka disa vite që më kaplon një lloj mërzie dhe vetëm më duhet të qaj që të lirohem. Nuk po arrij assesi të shërohem nga kjo sëmundje. Mandej një lloj mosbesimi në vetvete dhe një lloj frike për çdo gjë. Sa herë që dua të bëj diçka, mendoj që do të dështoj akoma pa e bërë e kjo vërtet ndodh. Nuk po arrij as të martohem, se ky lloj vaji po i habit të gjithë. Cili burrë do mendojë që jam normale nëse tërë kohën jam e mërzitur dhe nuk qesh kurrë? Më ndihmoni ju lutem. Allahu ju shpërbleftë!
Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Motër e nderuar!
Mërzia dhe pikëllimi janë ndjenja që i përjetojnë të gjithë njerëzit dhe nga kjo nuk përjashtohet asnjë njeri. Pra, pikëllimi është pjesë e jetës së njeriut ashtu si gëzimi, kënaqësia, lumturia, etj.

Nga letra juaj nuk arrijmë të kuptojmë shkaqet që mund të kenë ndikuar që ju të ndiheni e pikëlluar dhe e mërzitur gjatë tërë kohës, por arsye shumë e mundshme është mënyra se si ju mendoni dhe i peshoni gjërat. Prandaj ju këshillojmë të jeni më reale me jetën tuaj dhe të mos i paraprini çdo zhvillimi dhe ngjarjeje me mendime negative dhe pesimiste. Duhet të jeni më mendjemprehtë dhe më e fortë ndaj zhvillimeve me të cilat ballafaqoheni.

Ekzistojnë dy mënyra të të menduarit rreth gjërave që na ndodhin; mendimi negativ dhe mendimi pozitiv ndaj tyre. Njeriu ka mundësi ta ndryshojë mënyrën e të menduarit rreth gjërave duke qenë këmbëngulës në atë që është pozitive dhe e mirë. Për besimtaren kjo formë e të menduarit është e domosdoshme, pasi ajo e di se çdo gjë që ndodh në jetë është me dijen dhe me lejen e Allahut të Lartësuar. Çdo vështirësi, problem dhe fatkeqësi që na ndodh është me lejen e të Gjithëfuqishmit dhe besimtarja duhet të jetë e kënaqur me përcaktimin e Allahut të Lartësuar. Pastaj besimtarja e di se Allahu nuk e ngarkon me vështirësi muslimanin me shumë seç mund të përballojë. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij.” (Bekare, 286)

Për fund, ju themi që t’i mbështeteni Allahut të Lartësuar dhe të dini se suksesi nuk është në dorën e njerëzve, por është në dorën e Atij që i ka krijuar njerëzit dhe të gjitha gjërat e tjera. Kthehuni tek Ai me lutje e sinqeritet, se Ai nuk i refuzon kërkesat dhe mungesat e nevojtarëve. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi