Falja e namazit nafile para kohës së akshamit

65. I nderuar hoxhë! Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë se kush merr abdest mirë dhe i fal dy rekate namaz, i obligohet xheneti. Por kur të marrim abdest para akshamit, si t’i falim dy rekate namaz kur nuk lejohet namazi para akshamit?

Përgjigjja: Çdokush që merr abdest preferohet që menjëherë pas marrjes së abdesit t’i falë dy rekate namaz, ngase Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: ”Çdonjëri që merr abdest mirë dhe i fal dy rekate duke qenë i përqendruar në namaz me zemër, atij i obligohet xheneti.”[1]

Fitimi i këtij shpërblimi është i dedikuar për ata që e falin namazin menjëherë pas abdestit. Imam Neveviu thotë: ”Preferohet falja e dy rekateve menjëherë pas marrjes së abdestit duke u bazuar në këto hadithe të sakta.”[2]

Mirëpo ka hadithe të sakta të cilat e ndalojnë faljen e namazit në tri kohë të caktuara, e ato janë:

1.Pas namazit të sabahut deri në lindjen e diellit;

2.Kur dielli është në kupë të qiellit-në zenit derisa të anojë pak;

3.Pas namazit të ikindisë deri në perëndim të diellit.

Ebu Seid el-Huderij r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Nuk ka namaz pas namazit të sabahut derisa të ngrihet dielli lart (pasi të lindë) dhe nuk ka namaz pas namazit të ikindisë deri në perëndim të diellit.”[3]

Ndërsa Ukbe bin Amir ka thënë: “Në tri kohë (tre orë) na ka ndaluar Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] të falemi dhe t’i varrosim xhenazet në to: kur lind dielli e derisa të ngrihet lart, kur dielli është në kupë të qiellit derisa të anojë pak dhe kur dielli është duke perënduar derisa të perëndojë.”[4]

Imam Shevkani ka thënë: “Kanë ardhur hadithe të vërteta të cilat qartazi e ndalojnë faljen e namazit dhe varrosjen e të vdekurve në tri kohë.”[5]

Ky ndalim jep të kuptohet se është mekruh tahrimen – vepër shumë e urryer dhe se nuk ka ardhur ndonjë argument i cili e nxjerr në mekruh tenzihen – vepër e papëlqyer.

Gjithashtu nuk ka ardhur ndonjë argument i cili i përjashton nga ky përgjithësim namazet me shkaqe. Është e vërtetë se kanë ardhur argumente për t’u falur pa definuar ndonjë kohë të veçantë, mes kohës që është e urryer dhe mes asaj që nuk është e urryer, siç është rasti me tehijetul mesxhid[6].

Kjo i bie që kemi argumente për urdhëresë dhe për ndalesë, andaj duhet pasur ndonjë shkak për ta bërë njërin më të saktë. E ne e dimë se në sheriatin islam ndalesat janë më primare sesa urdhëresat, siç tregon hadithi: “Kur t’ju urdhëroj për diçka, bëjeni atë sa të mundeni. Ndërsa kur t’ju ndaloj nga ndonjë gjë, atëherë largojuni (në mënyrë të prerë).”[7]

Sipas këtij rregulli, nuk duhet falur tehijetul mesxhid në kohët e urryera (mekruh).

Në rastin konkret, ti e fal farzin e akshamit, e inshaAllah merr shpërblimin e atyre dy rekateve, sepse pas abdestit është mirë të ketë namaz, qoftë sunete apo farze, qoftë edhe dy rekate të abdestit nëse ke kohë të lirë dhe mund të falesh, ndërsa para akshamit nuk bën të falet asgjë derisa të vijë koha e akshamit.

Allahu e di më së miri!

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Muslimi, nr. (234) 17.

[2] El-Mexhmu’u Sherh el-Muhedhdheb, 3/545.

[3] Buhariu, nr. 586.

[4] Muslimi, nr. (831) 293.

[5] Es-Sejl el-Xhez-zar, 1/188.

[6] Namazi që falet me rastin e hyrjes në xhami.

[7] Muslimi, nr. (1337) 412.