Pyetje:

A lejohet fekondimi artificial në Islam?

***

Përgjigjje:

Fekondimi artificial, ose fekondimi i asistuar, përfshin një numër metodash me të cilat kontrollohet dhe ndihmohet jo vetëm fekondimi i qelizës vezë, por edhe transporti i embrionit, implantimi, zhvillimi dhe ecuria e shtatzënisë.

Fekondimi artificial është një teknikë me anë të së cilës bëhet shumimi apo lindja e fëmijëve në një formë jo të zakonshme. Kjo formë jonormale njihet edhe me disa terma të tjera, si: mbarsim artificial, ngjizje artificiale, fertilizim në epruvetë, fekondim i asistuar, in vitro, etj.. Fekondimi artificial (jo në mënyrë natyrale, sepse në mënyrën natyrale bëhet përmes kontaktit seksual të drejtpërdrejtë mes mashkullit dhe femrës) arrihet nëpërmjet njërës nga këto dy metoda themelore:

1. Metoda e fekondimit të brendshëm, e cila bëhet me injektimin e spermës së mashkullit në brendi të organeve të gruas.

2. Metoda e fekondimit të jashtëm, e cila bëhet me fekondimin mes spermës së mashkullit dhe qelizës vezë të femrës në një epruvetë testuese në laboratorët mjekësorë, pastaj qeliza vezë e fekonduar mbillet në mitrën e gruas.

Në bazë të arritjeve të mjekësisë bashkëkohore që dimë ne, format dhe mjetet nëpër të cilat kalon fekondimi artificial i shumimit me metodën e brendshme dhe të jashtme gjithsej janë shtatë. Metoda e fekondimit të brendshëm ka dy forma, kurse metoda e fekondimit të jashtëm ka pesë forma. Sipas mësimeve islame, dy prej këtyre formave janë të lejuara, ndërsa pesë forma të tjera janë të ndaluara.

Metodat e lejuara të fekondimit artificial janë:

1. Merret sperma e burrit të martuar dhe pastaj injektohet në brendi të organit të gruas së tij apo në mitrën e saj, në mënyrë që spermatozoidi të takohet në mënyrë natyrale me qelizën vezë të bashkëshortes së tij. Pastaj bëhet fekondimi dhe më pas ndodh ngjitja e saj në murin e mitrës me lejen e Allahut, si në rastin e marrëdhënieve seksuale. Kjo formë përdoret në rastin kur bashkëshorti për ndonjë arsye të caktuar është i paaftë të çojë spermën e tij deri në vendin e duhur gjatë marrëdhënieve seksuale.

2. Merret sperma nga bashkëshorti dhe qeliza vezë nga bashkëshortja e tij e vendosen në epruvetën e laboratorit mjekësor nën kushte të caktuara fizike, në mënyrë që spermatozoidet e bashkëshortit të fekondohen me qelizën vezë të bashkëshortes së tij në atë epruvetë, pastaj qeliza vezë e fekonduar merret në kohë të përshtatshme dhe transferohet në mitrën e asaj gruaje, që pastaj ajo qelizë e fekonduar të ngjitet në murin e mitrës dhe me këtë krijohet embrioni dhe zhvillohet si çdo foshnjë.

Pastaj, në fund të kohës së shtatzënisë natyrale, gruaja lind foshnjën. Ky fëmijë është ai që quhet “fëmijë epruvete”, arritje të cilën shkenca ka arritur ta bëjë me lehtësimin e Allahut. Nëpërmjet kësaj forme, deri sot kanë lindur një numër fëmijësh meshkuj dhe femra, madje edhe binjakë. Lidhur me këtë kanë informuar gazetat dhe mjetet e ndryshme të informimit anembanë botës.

Kjo formë përdoret kur gruaja është sterile për shkak të mbylljes së kanalit që bën lidhjen mes vezorit dhe mitrës së saj. Në parim kjo metodë është e pranuar nga vështrimi sheriatik, por kjo formë nuk shpëton nga gjërat që sjellin dyshime për shkak të përzierjeve dhe ngatërrimeve që e shoqërojnë dhe e rrethojnë atë.

Prandaj kjo formë duhet të përdoret vetëm në raste të domosdoshme dhe pasi të jenë plotësuar të gjitha kushtet që do të garantonin sigurinë e spermës dhe qelizave vezë të të dy bashkëshortëve nga çfarëdolloj përzierje dhe mashtrimi.

Metodat e ndaluara të fekondimit artificial janë:

1. Merret sperma e një personi (këtë e quajnë dhurues) dhe injektohet brenda organeve të bashkëshortes së një burri tjetër, në mënyrë që të ndodhë fekondimi i brendshëm dhe më pas edhe ngjitja e qelizës vezë të fekonduar në murin e mitrës, si në formën e parë. Kjo formë përdoret në rastin kur bashkëshorti është steril dhe sperma merret nga një person tjetër dhe vendoset në mitrën e gruas së tij.

2. Merret sperma nga bashkëshorti dhe qeliza vezë nga një grua, e cila nuk është bashkëshorte e tij (këtë e quajnë dhuruese e vezores) dhe vendosen në epruvetën e laboratorit, pastaj qeliza e fekonduar mbillet në mitrën e bashkëshortes së këtij burri. Kjo metodë përdoret në rastin kur vezori i bashkëshortes është hequr apo nuk funksionon, por mitra e saj është e shëndoshë dhe qeliza vezë e fekonduar mund të ngjitet në të.

3. Merret sperma e një personi dhe qeliza vezë e një gruaje, të cilët nuk kanë kurorë në mes vete (të dy këta i quajnë dhurues) dhe vendosen në epruvetën e laboratorit, pastaj qeliza vezë e fekonduar mbillet në mitrën e një gruaje tjetër. Kjo formë përdoret në rastin kur gruaja e martuar në të cilën është mbjellë qeliza vezë e fekonduar është sterile për shkak të prishjes së vezorit, por mitra e saj është e shëndoshë dhe gjithashtu bashkëshorti i saj është steril dhe në të njëjtën kohë këta të dy dëshirojnë të kenë fëmijë.

4. Në epruvetën e laboratorit bëhet fekondimi i jashtëm mes farës së të dy bashkëshortëve, pastaj qeliza vezë e fekonduar mbillet në mitrën e një gruaje tjetër, e cila vullnetarisht merr përsipër mbartjen e shtatzënisë. Kjo formë përdoret në rastin kur gruaja s’ka mundësi të jetë shtatzënë për shkak të mitrës së saj të prishur apo të hequr, por vezori i saj është i shëndoshë dhe produktiv, ose kur kjo grua nuk ka dëshirë të ngelë shtatzënë për shkak të komoditetit të jetës së saj dhe një grua tjetër del vullnetare ta mbartë shtatzëninë në vend të saj.

5. Është e ngjashme si forma e gjashtë, nëse gruaja që vullnetarisht ka marrë përsipër mbartjen e shtatzënisë është gruaja e dytë e burrit, të cilit i është marrë spermatozoidi, dhe kështu gruaja e tij e dytë pranon që vullnetarisht ta mbartë qelizën vezë të fekonduar në vend të gruas së tij të parë. Kjo formë nuk praktikohet në vendet ligjet e të cilave e ndalojnë poligaminë, por praktikohet në vendet që e lejojnë poligaminë.

Arsyeja e ndalimit të pesë metodave të lartpërmendura është fakti se gjatë kryerjes së procedurave të fekondimit artificial është vënë në përdorim materiali i huaj , pra spermatozoidi dhe qelizat vezore nuk janë të të dy bashkëshortëve.

Vlen të theksohet se Islami konsideron që njëra nga objektivat më të rëndësishme të martesës është lënia e pasardhësve dhe ruajtja e llojit të njerëzve, prandaj Allahu i Lartësuar e bëri martesën si formë të vetme me të cilën mundësohet lidhja ndërmjet burrit dhe gruas, krijohet familja dhe lihen pasardhësit.

Për këtë arsye, martesa në Islam është e shenjtë dhe fisnike, e ndërtuar me pëlqim nga të dyja palët, me qëllim të arritjes së harmonisë dhe dashurisë së ndërsjellë. Prandaj, dispozitat që kanë të bëjnë me fekondimin artificial dhe teknikat që përdoren janë plotësisht të lidhura me këtë dhe dispozitat që përcaktohen rreth tyre kanë për objektiv ndërtimin dhe ruajtjen e dinjitetit të familjes.

Kjo fetva është e bazuar në vendimin që ka marrë Asambleja e Jurisprudencës Islame, në Kongresin e Tretë të mbajtur në Aman, prej datës 8 deri më 12 të muajit safer të vitit 1407 hixhri, gjegjësisht në vitin 1986.[1]

Allahu e di më së miri

 

————————————————————

[1] http://www.fiqhacademy.org.sa/qrarat/3-4.htm