Festat e dy Bajrameve

127. I nderuar hoxhë! Na tregoni se si ka mbetur festa e dy Bajrameve?

Përgjigjja: Festat në Islam janë të lidhura drejtpërdrejt me kryerjen e adhurimeve shumë të rëndësishme, siç është agjërimi i muajit Ramazan dhe kryerja e haxhit.

Fitër Bajrami është festa islame që vjen pas muajit Ramazan. Quhet Fitër Bajram ngase është dita e parë pas muajit Ramazan kur muslimanët përdorin ushqim gjatë ditës si dhe në fund të agjërimit të Ramazanit ata që kanë mundësi u shpërndajnë të varfërve zekatul fitër, pra lëmoshë me qëllim që t’u mundësohet të gjithëve përjetimi i festës së Bajramit dhe që të ngopen edhe të varfrit.

Kurban Bajrami vjen pas kryerjes së ibadetit madhështor, shtyllës së pestë të Islamit, që është haxhi. Në ditën e nëntë të muajit Dhulhixheh është Dita e Arafatit, ndërsa Kurban Bajrami vjen pas qëndrimit të haxhilerëve në Arafat, pra në ditën e dhjetë të muajit Dhulhixheh sipas hixhretit. Quhet Kurban Bajram ngase në tri ditët e kësaj feste është e ligjësuar therja e kurbanit, mishi i të cilit preferohet t’u shpërndahet edhe të varfërve. Prandaj muslimanët festojnë me të drejtë të dy festat e tyre, ngase pas angazhimeve, përpjekjeve, e sakrificave u gëzohen sukseseve të arritura, prandaj edhe Allahu i Lartësuar na fton që të gëzohemi me mirësitë dhe begatitë e Tij dhe thotë:

”Thuaj: Vetëm mirësisë së Allahut dhe mëshirës së Tij le t’i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë ata.” (Junus: 58)

Enesi r.a. thotë:

“Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] kur erdhi në Medinë, ata (banorët e Medinës) kishin dy ditë në të cilat loznin (festonin).” E u tha: “Çka janë këto ditë?” Thanë: “Në këto ditë loznim (festonim) në injorancë.” Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] tha: “Allahu ua ka ndërruar me ditë më të mira se këto: Kurban dhe Fitër Bajrami.”[1]

Prandaj muslimanët brenda vitit kanë vetëm dy festa që do të vlejnë deri në Ditën e Kiametit, e ato janë festa e Fitër Bajramit dhe festa e Kurban Bajramit.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1]Ahmedi, nr. (13722) -13657; Ebu Davudi, nr. 1134. Albani e ka bërë sahih.