Pyetja:

Hoxhë i nderuar!
Dua t’ju rrëfej se jeta ime për mua s’ka kuptim. Gjithmonë kam probleme të ndryshme dhe çdo herë që mua më ndodh ndonjë fatkeqësi, i lutem Allahut të ma mundësojë vdekjen sa më shpejt dhe të shpëtoj nga problemet që më kanë rënë mbi kokë! Së paku, unë e shoh këtë zgjidhje si rrugëdalje të vetme dhe qetësim për mua. Si qëndron ky veprim i imi në Islam, a lejohet të veproj në këtë mënyrë, apo jo?

***

Përgjigjja:

Sa i përket kërkimit të vdekjes nga ana juaj si shkak i fatkeqësive të shumta të cilat e godasin njeriun (muslimanin), duhet të dimë se një veprim i tillë është i ndaluar në Islam.
E themi këtë, sepse Muhamedi ﷺ ka thënë: “Askush nga ju nuk duhet ta kërkojë vdekjen e tij për shkak të ndonjë fatkeqësie, por, nëse mendon se duhet ta kërkojë atë patjetër, atëherë le të thotë: O Zot! Nëse të jetoj është më mirë për mua, atëherë më jep mundësi të jetoj, porse, nëse vdekja ime është më e mirë për mua, atëherë më jep mundësi që të vdes”. Prandaj, muslimani duhet të shpresojë tek shpërblimi i Allahut të Madhëruar dhe të presë me durim, duke bërë dua që të kalojë fatkeqësia nga e cila është goditur.

Dije, oj motër, o vëlla, se i Dërguari i Allahut ﷺ, njeriu i cili ishte më i sprovuari ndër njerëz, ka thënë: “Fitorja vjen me durim, gëzimi vjen pas dëshpërimit dhe pas çdo vështirësie vjen lehtësimi”.

Në të njëjtën kohë, ne, si muslimanë, duhet të kemi parasysh se vështirësitë dhe problemet me të cilat ballafaqohet dhe goditet muslimani gjatë jetës, e pastrojnë atë nga gjynahet, dhe se vetëm me durim dhe shpresë arrihet tek shpërblimi i Allahut, ngase përmes sprovave, muslimani ngritet në grada të larta tek Allahu! Mu për këtë arsye, Allahu thotë: ”Atyre të cilët kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Zotit jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” (El-Bekare: 156).

Në fund, do dëshiroja t’ju drejtohem lidhur me faktin se ju thoni vdekja është rruga e vetme e qetësimit dhe shpëtimit tuaj nga problemet dhe fatkeqësitë. Duhet ta keni në dijeni se ky është një mendim tërësisht i gabuar dhe në kundërshtim të plotë me atë çka na meson dhe urdhëron Allahu dhe i Dërguari i Tij.

Motër e nderuar! Mos harro se vdekja nuk i zgjidh dhe largon problemet tuaja, porse ajo i shton edhe më shumë. E sidomos kur njeriu vdes duke pasur gjynahe për të cilat nuk është penduar akoma nga ato. Në këtë rast, vdekja juaj nuk do të bënte gjë tjetër pos që do të shpejtonte dënimin e Allahut ndaj jush.
Oj motër e dashur, ti duhet të bësh durim, se çdo fatkeqësi që të godet, sado e madhe qoftë ajo, e ka edhe fundin e saj. Gjendja juaj do të ndryshojë! A nuk ka thënë Allahu:  “E, me të vërtetë, me vështirësi – arrihet në lehtësi. Me të vërtetë, me vështirësi – arrihet në lehtësi (lumturi).” (El Inshirah: 5-6).

Allahu është më i Dituri.

Muhamed bin Salih El-Uthejmin
Nga arabishtja: Suad B. Shabani