Pyetja:

Në një hadith thuhet se Pejgamberi ﷺ, kur erdhi në Medine, i gjeti jehuditë duke agjëruar Ditën e Ashures. Ai agjëroi dhe urdhëroi me agjërimin e tij. Si mund të pajtohet kjo me urdhrin e tij që të mos veprojmë në shumë çështje si ithtarët e feve të shpallura?

***

Përgjigjja:

Hadithi për të cilin na sinjalizon pyetësi është hadith i përfshirë në përmbledhjet e Buharit dhe Muslimit nga Ibn Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) i cili ka thënë: “Pejgamberi ﷺ erdhi në Medine dhe i pa jehudët duke agjëruar Ditën e Ashures dhe tha: “Ç’është kjo?” Ata thanë: “Ditë e mirë në të cilën All-llahu i kishte shpëtuar Musain dhe Beni Israilët nga armiqtë e tyre dhe për këtë agjëroi Musai”.

Pejgamberi ﷺ tha: “Unë kam më shumë të drejtë për Musain se ju” dhe agjëroi edhe ai dhe urdhëroi edhe të tjerët të agjërojnë”. Nuk është çudi të pyetet sesi mundet që agjërimi i Pejgamberit ﷺ të jetë në harmoni të plotë me agjërimin e jehudëve, kur dihet se ai kishte kujdes të madh në mosngjasim të veprimeve me ata të cilët nuk besuan, me ithtarët e librit të shpallur dhe me mushrikët. Ai kishte urdhëruar për këtë mosngjasim në disa hadithe, si: “Ndryshoni (mos veproni) nga jehudët dhe të krishterët… dhe ndryshoni nga pabesimtarët”.

Praktikuesit e haditheve të transmetuara nga Pejgamberi ﷺ shohin se Pejgamberi ﷺ këtë ditë e kishte agjëruar para emigrimit. Madje arabët në xhahilijet e agjëronin dhe e madhëronin këtë ditë e po në këtë ditë mbulonin edhe Qaben. Thuhet se ata këtë e kishin mësuar nga Sheriati i mëparshëm. Akremete transmeton se kurejshët bënin mëkate në xhahilijet e ajo madhërohej në gjokset e tyre e u tha atyre: “Agjëroni Ditën e Ashures, ju falen ato mëkate nga ju”.

Atëherë del se Pejgamberi ﷺ agjërimin e Ashures nuk e filloi në Medine, e as që agjëroi që t’u bashkëngjitet jehudëve, por tha: “Ne kemi më shumë të drejta në Musain se ju” dhe urdhëroi agjërimin e ditës ashures duke vërtetuar madhërinë e tij, duke përforcuar dhe duke u treguar jehudëve se feja e All-llahut të Madhërishëm në të gjitha kohët është një, kurse pejgamberët janë vëllezër dhe secili prej tyre kishte vënë nga një tullë në ndërtimin e të vërtetës.

Gjithashtu u tregoi atyre se myslimanët kanë më shumë përparësi në nderimin dhe respektin e çdo të dërguari të All-llahut të Madhërishëm. Ata (jehudët) janë që bënë devijimin e shpalljes së Tij dhe ndërruan fenë e tyre. Nëse Dita e Ashures ishte dita e shkatërrimit të Faraonit dhe dita e ngadhnjimit të Musait (alejhis-selam), ajo gjithashtu nënkupton ngadhnjimin e të vërtetës me të cilën e ka dërguar All-llahu i Madhërishëm Muhammedin ﷺ. Atëherë, nëse Musai (alejhis-selam) këtë ditë e ka agjëruar në shenjë falënderimi ndaj All-llahut të Madhërishëm, myslimanët kanë më shumë të drejtë ta pasojnë Musain (paqja qoftë mbi të) sesa jehudët.

Dita e Ashures është ditë madhështore, ngase këtë ditë ndodhën shumë fitore dhe ngadhnjime të së vërtetës mbi të pavërtetën, fitore të imanit mbi kufrin. Imam Ahmedi ka regjistruar nga Ibn Abbasi se këtë ditë ka shpëtuar edhe anija e Nuhit (paqja qoftë mbi të) e për këtë në shenjë falënderimi ndaj All-llahut të Madhërishëm agjëroi Nuhi (paqja qoftë mbi të).
Kjo ngjashmëri e Muhammedit ﷺ me jehudët në agjërim ishte në fillim të periudhës medinase, kur dëshironte ngjashmëri me ithtarët e librit në ato çështje për të cilat nuk ndalohet për ata, për t’i përfituar zemrat e tyre. E kur u përforcua shoqëria islame dhe doli në skenë armiqësia e ithtarëve të librit ndaj Islamit, ndaj Muhammedit ﷺ dhe familjes së tij, ai urdhëroi në ndryshime. I sqaroi në hollësi ndryshimet duke e ruajtur thelbin e agjërimit të kësaj dite në formë të manifestimit për vlerën madhore të saj. Me këtë rast Muhammedi ﷺ tha: “Agjërone Ditën e Ashures, por mos u ngjasoni jehudëve. Para saj agjëronte një ditë dhe pas saj një ditë”.

Në ndryshimin e agjërimit prej jehudëve ndërhynë edhe sahabët e Pejgamberit ﷺ. Nga fundi i periudhës medinase, pikërisht për këtë që pyetet Pejgamberi ﷺ urdhëronte që myslimanët t’i ndryshojnë veprimet e tyre nga jehudët. Imam Muslimi transmeton nga Ibn Abbasi (radijall-llahu anhu) i cili ka thënë: Meqë i dërguari i All-llahut agjëronte Ditën e Ashures dhe urdhëroi për agjërim të kësaj dite, sahabët i thanë: O I Dërguari i All-llahut, ajo ditë është që e madhërojnë jehudët dhe të krishterët, e Pejgamberi ﷺ tha: “Vitin e ardhshëm, nëse don All-llahu do ta agjërojmë edhe ditën e nëntë”.

Mirëpo, kur erdhi viti i ardhshëm, Pejgamberi ﷺ kishte ndërruar jetë. Në fund ajo që kuptohet nga kjo përgjigje dhe nga shumë hadithe të tjera është se Pejgamberi ﷺ nuk ishte përqendruar vetëm në agjërimin e kësaj dite, por shtoi edhe agjërimin e ditës së nëntë, me qëllim që të mos u ngjasojë jehudëve dhe të krishterëve.

Ibn Kajjimi thotë: “Shkallët e agjërimit të Ashures janë tri: Shkalla më e lartë është që të agjërohet një ditë para dhe një ditë pas saj bashkë me Ashuren; shkalla e dytë është që të agjërohen dita e nëntë dhe e dhjetë, e për këtë ka shumë hadithe dhe shkalla e fundit është që të agjërohet vetëm dita e dhjetë e Ashures”.

Dr. Jusuf Kardavi, Zeriislam