Pyetja:

Jam 30 vjeçare por nganjëherë po ndihem ashtu e padisponuar, e pamotivuar për jetë, të gjitha arritjet i arrijë me vështirësi, ashtu gjithçka në minutën e fundit, nuk di pse po me të vërtetë mundohem shumë dhe arrij pak. Namazin e fali, ama jo rregullisht.
Jam e pafejuar, tash jam duke u takuar me një djalë që fal 5 kohë namaz, i ngritur profesionalisht, një njeri shumë i mirë, ai është i gatshëm që të fejohet me mua, po unë jam shumë e pasigurt me atë njeri, herë më pëlqen pamja e tij herë jo, megjithëse e di se nuk ka peshë pamja fizike e një njeriu po shpirti i tij, po unë po e kam shumë të vështirë të marr një hap të tillë.

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Çështja e parë me të cilën do ta filloja këtë përgjigje është rreth namazit, pasi bëhet fjalë për një adhurim shumë të rëndësishëm për besimtarin dhe besimtaren. Motër e nderuar, ju porosisim që në këtë të mos neglizhoni, por të mundoheni ta falni atë me rregull e përpikëri. Me këtë ju përmirësoni raportin me Krijuesin tuaj, i cili ka në dorë çdo gjë, Ai është i vetmi që me lejen e vullnetin e Tij bëhen gjërat. Prandaj hapi parë që duhet ta ndërmerrni për t`i zgjidhur problemet tuaja, për të cilat na shkruani, është që ta përmirësoni raportin me Zotin tuaj.

Për sa u përket problemeve të natyrës që kanë nevojë për trajtim nga hoxhallarët e mirëfilltë të cilët shërojnë (bëjnë rukje) me Kuran dhe lutje pejngamberike, do t`ua dërgojmë adresat e tyre me lejen e Allahut.

Ndërsa në lidhje me fejesën që po ju ofron djali në fjalë, nuk themi se është një mundësi që nuk duhet lëshuar, por prolongimi i kësaj është i dëmshëm për të dy ju. Prandaj sa më shpejt përfundojeni këtë kontakt ose me fejesë ose me ndërprerje (nëse nuk doni të bashkoheni me të). Dijeni se vazhdimi i kontaktit në këtë formë është i jashtëligjshëm në Islam. Ne do t`ju këshillonim që ta vlerësoni ofertën, pasi ai është besimtar dhe keni vërejtur cilësi të mira tek ai, fatkeqësisht vështirë të gjenden këto në kohën tonë. Pamja është diçka dytësore, madje edhe e pavlerë nëse poseduesi është me karakter e veçori të këqija. Mbështetuni në Allahun dhe bëjeni zgjedhje duke e lutur Atë t`ju japë hairin dhe inshallah, me lejen e Tij, do ta arrini atë. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi