Pyetja:

E dua një vajzë shumë, por më ka treguar se ka një djalë tjetër por unë nuk e kam ditur para se të dashurohem në të, si t’ja bëj me të,ndonjë këshillë se si ta harroj?

***

Përgjigjja:

Dashuria është një ndjenjë e fuqishme që mund t’i lidhë zemrat e dy personave, të cilët ushqejnë dhe kultivojnë atë njëri për tjetrin. Dashuria e dy personave e njërit ndaj tjetrit, me gjini të kundërt, nuk guxon të fillojë, pa i shikuar rrethanat e mundshme se ata dy persona munden të martohen apo jo. Është e ditur se dashuria, që nuk ka për qëllim të kurorëzohet me martesë është gjynah i madh dhe haram. Me rrethana kemi për qëllim se a mund të legjitimohet ajo martesë me atë person apo jo. P.sh. a mos e kemi të afërt prej gjakut, miqësisë apo gjirit. Nëse e kemi të afërt atëherë duhet të largohemi nga çdo shigjetë dashurie ndaj atyre personave, me qëllim të martesës. Po ashtu pengesat mund të jenë edhe të natyrave të përkohshme si të jetë e martuar për dikë tjetër (siç është rasti i juaj) etj.

Andaj, ju përderisa keni filluar ta dashuroni personin, të cilit nuk ia keni shikuar rrethanat e mundshme se do të mund të martohet apo jo me ju, në këtë rast vetëm e keni ngushtuar vetveten. Kështu që urgjentisht duhet të ushqeni mosdashuri për vajzën që e dashuruat pa të drejtë. Ju a doni të thoni se ajo ta lë burrin e saj dhe të kthehet kah ju?! Çka nëse nesër dikush i treti vepron njëjtë sikur ju dhe e dashuron pra bashkëshorten tuaj dhe ajo të martohet pastaj me atë? A ju pëlqen kjo që kushdo ka të drejtë ta dojë kë do?
Natyrisht se një gjë e tillë është e papranuar te çdo njeri me logjikë të shëndoshë, e të mos flasim për mësimet e pastra islame, të cilat e ndalojnë këtë gjë rreptësisht.

Ju porosisë që ta largoni mendjen nga ajo vajzë dhe të ushqeni jodashuri, ashtu siç ushqyet dashuri. Kjo është një gjë e mundshme, por vetëm do angazhim serioz në këtë drejtim. Çdo ditë që kalon në dashuri të femrës që nuk mund ta martosh është vetëm shkatërrim i ndjenjave tua, jostabilitet në jetën tënde, dhe dëshpërim më në fund, i cili sjellë çdo debalancë në jetën tuaj edhe fetare, që mund ta humbni pastaj edhe ahiretin (Allahu na ruajt).
Pendohuni sa më parë dhe largohuni nga mendimet dhe “rrugëdaljet” e këqija, që mund tua mëson shejtani me rastin e dashurimit të femrës së zënë.

Muhamed Dërmaku