Pyetja:

Jam vajzë me mbulesë, dhe kam një pyetje: nëse një djalë më pyet çfarë ngjyre i kam flokët, a lejohet me ia tregu apo me ia përshkru?
Dua ta di fetarisht çka është e lejuar në këtë rast.
Allahu ju shpërbleftë!

Përgjigja:

Detyrimi i mbulesës për çdo muslimane


Fillimisht, mbulesa është obligim për çdo muslimane. Që nga momenti kur vajza arrin moshën madhore, ajo është e obliguar të mbulohet.

Që prej atij çasti, fillojnë t’i llogariten gjynahet nëse nuk mbulohet, dhe shpërblimet nëse mbulohet.
Kjo është pika e parë.


Mbulesa nuk bëhet sipas dëshirës së njerëzve

Pika e dytë:
Kur muslimania vendos të mbulohet, ajo nuk duhet ta bëjë këtë sipas dëshirës së njerëzve, sipas asaj që bën shumica, apo sipas qejfit të saj personal.

Mbulesa ka kushtet e veta, të cilat i ka vendosur Allahu i Lartësuar dhe Pejgamberi i Tij, salallahu alejhi ue selem.

Nuk është e rregullt që të thuhet se “mbulohem siç mendoj unë se është në rregull”, apo “siç më pëlqen mua”.
Mbulesa duhet të jetë ashtu siç e ka urdhëruar Allahu, për të fituar kënaqësinë e Tij.

Shembulli më i drejtë është që mbulesa të vendoset për hir të Allahut, jo për shoqëri apo për ndonjë qëllim tjetër.
Në atë rast, duhet të plotësohen të gjitha kushtet që i ka përmendur Allahu i Lartësuar dhe Pejgamberi i Tij, salallahu alejhi ue selem.


Çfarë lejohet dhe çfarë ndalohet të zbulohet

Pika e tretë:
Nuk lejohet të zbulohet asgjë nga trupi, përveç fytyrës – për të cilën dijetarët kanë pasur mendime të ndryshme.
Mendimi më i saktë është se fytyra lejohet të zbulohet, si dhe duart, ndërsa:

  • flokët,

  • veshët,

  • qafa,

  • dhe çdo pjesë tjetër e trupit,

nuk lejohet të zbulohen, sepse janë pjesë e mbulesës.


Ndalohet përshkrimi i trupit të gruas para burrave që nuk janë mahrem

Pika e katërt:
Nuk lejohet që vajza e mbuluar të përshkruajë diçka nga trupi i saj para burrave që nuk janë mahrem  as para shokëve, kushërinjve, apo të tjerëve.

Për shembull, nuk lejohet të thuhet:

  • “I ka flokët e gjata”,

  • “I ka flokët me ngjyrë të tillë”,

  • ose përshkrime të tjera të trupit.

Kjo nuk lejohet, sepse është e ndaluar që një grua të përshkruajë apo të përmendë cilësitë e një gruaje tjetër para burrave, siç ka ndaluar Profeti ﷺ ka thënë: ”Gruaja të mos e shikojë apo të prek një grua tjetër e t’ia përshkruajë atë burrit të saj sikur ai të jetë duke e parë atë!  Transmeton Buhari (5240)

Nuk lejohet që vajza e mbuluar të tregojë ndonjë detaj të trupit të saj që e ka nvn mbulesë para atyre që nuk janë mahrem.
Edhe shoqet ose familjarët e saj nuk duhet të përmendin asnjë detaj për pamjen e saj jashtë rrethit të mahremëve.

Nëse vajza është pa mbulesë para shoqeve, dhe ato më pas tregojnë detaje për trupin apo pamjen e saj, kjo nuk lejohet.

Përjashtimi i vetëm: kur kërkohet për martesë

E vetmja rast që mund të lejohet përshkrimi është kur ndonjë djalë ka kërkuar për martesë.
Në këtë rast, lejohet që të përmendet diçka si ngjyra e flokëve apo gjatësia e tyre  vetëm për t’i dhënë informacion personit që e kërkon për martesë.

Këto informacione jepen drejtë djalit apo përmes personit ndërmjetës, i cili i përcjell ato për qëllime martesore.
Për ndryshe, përshkrimi i vajzës para burrave që nuk janë mahrem është i ndaluar.

/Hoxhë Dr. Rasim Haxha/