Pyetja:

Gratë të cilat e braktisin namazin në muajin e fundit të shtatzënisë, a duhet kompensuar atë?

***

Përgjigjja:

Po e ritheksoj vlerën e namazit në Islam.

Namazi është një nga pesë shtyllat e Islamit, ashtu siç është shprehur i Dërguari i Allahut ﷺ në hadithin e njohur: ”Islami ngritet mbi pesë shtylla” [1], dhe aty pas shehadetit e ka përmendur namazin.

Në shumë ajete në Kuran, Allahu i Madhërishëm na urdhëron: ’’ekimus-salate’’ (Falni namazin).

Po ashtu, edhe i Dërguari i Allahut ﷺ në shumë hadithe të tij ka folur për vlerën dhe rëndësinë e namazit. Librat e haditheve përmbajnë kapitull të tërë për namazin, gjegjësisht në këtë kapitull janë të përfshira hadithet që flasin për namazin.

Nisur nga kjo, namazi në asnjë mënyrë, pa arsye legjitime fetarisht, nuk bën të braktiset. Shtatzënia nuk është shkak për lënien e namazit, ngase nëse nuk mund të falesh në këmbë, do të falesh ulur, nëse nuk mundet të biesh në sexhde apo ruku për shkak shtatzënisë, do të qëndrosh ulur dhe do të falesh me lëvizje prej ulur.

Gruaja lirohet prej namazit kur të lind apo kur i ka mujoret, gjegjësisht pas lindjes ka një periudhë kur është lehonë dhe atëherë nuk kërkohet prej saj namazi. Përndryshe, derisa ende nuk ka lindur, ajo obligohet me namaz.

Së këtejmi, nuk keni bërë mirë që e keni lënë namazin, bile është dashur ti kushtoni kujdes në veçanti në atë periudhë dhe të bëni lutje pas namazit që Allahu i Madhërishëm t’jua lehtësojë lindjen dhe t’ju ndihmojë juve dhe fëmijut që do të lind.

Për atë, namazet të cilat i keni lënë, ju e dini prej cilës kohë do t’i bëni kaza, apo do t’i kompensoni duke i falur më pas. Ndoshta dikush mund t’ju thotë se nuk ka kaza, por unë mendoj se kaza ka dhe se namazet që ju kanë ngelur në atë muaj, do t’i falni kaza. Allahu e di më së miri.

Bashkim Aliu

————————

[1] Buhariu 8