Pyetja:

Kam rrjedhje të gjakut jo ne formë normale si të menstruacioneve mirëpo deri diku e ngjajshme.Mirëpo mua nuk më duket që është prej menstuacioneve edhe pse nuk jam e sigurt për arsye se nuk e kam kohën e ciklit dhe është ashtu që ndoshta vetëm një herë në ditë kam atë ndonjeherë vetëm pika të kafta dhe ndonjeherë më shumë. Namzin nuk e kam ndalur mirëpo kam dyshime se mos jam me cikël, dhe po bëj gjynah.

***

Përgjigjja:

Motër e nderuar, në bazë të pyetjes suaj lidhur me të përmuajshmet do të përmendi këtë që vijon: Faktin që e keni përmendur se nuk e keni kohën e tyre, nuk e di sa është bindës. Koha e tyre mund të konsiderohet e rregullt atëherë kur kalojnë 15 ditë nga menstruacionet e kaluara. Edhe nëse zakonisht koha ndërmjet dy cikleve është 25 ditë p.sh., nëse në ndonjë muaj kanë diferencë vetëm 20 ditë apo 15, gjithçka konsiderohet mënyrë e rregullt dhe normale. Kur shihet gjaku ngjyrë kafe kemi disa dispozita:

– nëse menstruacionet me ngjyrë kafe janë fill pas gjakut normal të menstruacioneve, ajo periudhë konsiderohet ende në kuadër të atij cikli, deri sa të shihen menstruacionet e bardha, ose të ndodh që fasha është e terur fare, pas qëndrimit të saj kohë të konsiderueshme tek organi menstrual.

– Nëse gjaku me ngjyrë kafe shihet para menstruacioneve, por koha nuk është e tyre, pra nuk kanë kaluar 15 ditë nga menstruacionet e kaluara, ai gjak nuk konsiderohet asgjë. Pra duhet të vazhdohet me namaz e agjërim.

– Nëse gjaku me ngjyrë kafe është para menstruacioneve dhe kanë kaluar 15 ditë e më shumë duhet të shikohet një fakt; a ka edhe shenja të tjera përcjellëse të menstruacioneve si kokë-dhimbje, plogështi etj., apo jo? Nëse ka shenja të tjera përcjellëse, atëherë ato pika gjaku me ngjyrë kafe konsiderohen prej ciklit menstrual, gjë që obligoheni ta ndërpritni namazin e agjërimin (nëse jeni në ramazan apo agjëroni nafile).

– E nëse lajmërohen pikat e gjakut me ngjyrë kafe, por nuk ka shenja përcjellëse të rëndomta të menstruacioneve, atëherë duhet të vazhdoni me namaz dhe nuk konsideroheni me cikël. Në këtë rast, obligoheni vetëm të merrni abdes, pasi t’i shihni pikat e gjakut.

Kjo është gjithë ajo që kërkohet lidhur me pikat e gjakut me ngjyrë kafe. Në rastin tuaj, ju duhet të gjykoni se i keni kaluar 15 ditë nga menstruacionet e kaluara apo jo. Nëse i keni kaluar, duhet të shikoni a ndiheni me problemet e rëndomta përcjellëse të menstruacioneve apo jo. Nëse keni shenja përcjellëse krahas rrjedhjes së gjakut, qoftë edhe nga pak dhe rrallë, konsideroheni Brenda ciklit menstrual me ndonjë çrregullim të rastit që është prishur rendi i juaj i zakonshëm, dhe në këtë rast duhet të mos e falni namazin.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku