Pyetja:

Kur është koha e faljes së namazit të vitrit?

***

Përgjigjja:

Namazi i vitrit është prej adhurimeve më madhështore me të cilin i afrohemi Allahut xh.sh.. Aliu r.a. transmeton se Pejgamberi [ﷺ] ka thënë: “O ithtarë të Kur’anit! Faleni namazin e vitrit, ngase Allahu është tek dhe e do numrin tek.” [1]

Pejgamberi [ﷺ] gjithashtu ka thënë:

Allahu ua ka shtuar edhe një namaz, e ai është namazi vitër, andaj faleni atë mes namazit të jacisë dhe atij të sabahut.” [2]

Duke u bazuar në rëndësinë që i ka dhënë i Dërguari i Allahut [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] namazit të vitrit, shumë dijetarë e kanë klasifikuar vitrin në kategorinë e vaxhibit, edhe pse shumica thonë se dispozita e namazit të vitrit është sunet muekked, pra sunet shumë i fortë. Mosfalja e vitrit konsiderohet prej veprave të urryera, madje për disa është edhe mëkat. Imam Ahmedi ka thënë: “Kush e lë vitrin me qëllim, ai është njeri i keq dhe nuk i pranohet dëshmia.” [3]

Koha e namazit të vitrit fillon prej kohës së faljes së namazit të jacisë dhe vazhdon deri në agimin e dytë të mëngjesit, deri në kohën e sabahut. Pejgamberi [ﷺ] ka thënë:

Allahu ju ka nderuar  me namazin e vitrit, i cili është më i mirë se humuru niam [4]. Kohën e tij e ka caktuar në mes të namazit të jacisë deri në daljen e agimit.” [5]

Falja e namazit të vitrit në fund të pjesës së tretë të natës është më e vlefshme. Xhabiri r.a. transmeton se Pejgamberi [ﷺ] ka thënë: “Kush frikësohet se nuk do të zgjohet në fund të natës, le ta falë vitrin në fillim të kohës së tij. Kurse kush shpreson se do të zgjohet në fund të natës, le ta falë vitrin në fund të natës, ngase namazi në fund të natës është i dëshmuar (me prezencën e melekëve), për këtë arsye është më i vlefshëm.” [6]

Kush ka mundësi të zgjohet natën për të falur namaz nafile dhe më pas vitrin, le ta bëjë se kjo është më e mira. Por nëse ka frikë se nuk mund të zgjohet natën, atëherë e shtyn vitrin deri kur dëshiron të shkojë për të fjetur dhe para se të bjerë për të fjetur e fal. Por edhe nëse e fal menjëherë pas jacisë nuk ka gjë, me rëndësi është që vitri të falet.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Ebu Davudi, nr. 1416; Tirmidhiu, nr. 453, dhe e ka bërë hasen, ndërsa hadithin e ka saktësuar Albani.

[2] Ahmedi, nr. 6919, 2/206. Ahmed Shakir ka thënë: “Isnadi i tij është hasen”.

[3] El-Mugni, 1/827.

[4] Humuru niam janë devetë e kuqe. Kjo është një shprehje e përdorur shpesh në hadithe dhe ka për qëllim vlerën e madhe që ka, ngase ai që ka pasur deve të kuqe është konsideruar shumë i pasur. Është e barasvlershme me shprehjen më e mira në dynja, apo pasuria më e mirë në dynja.

[5] Tirmidhiu, nr. 452, Albani ka thënë: “Hadithi është sahih”.

[6] Muslimi, nr. (755)-162.