Pyetje:

I nderuar hoxhë! Ne femrat, kur jemi me menstruacione, a e kemi borxh që të agjërojmë pas Ramazanit ditët që na kanë mbetur gjatë Ramazanit pa i agjëruar?

***

Përgjigjje:

Dijetarët islam kanë mendim unanim se gruaja me menstruacione (hajz), ose lehoni (nifas), e ka të ndaluar agjërimin dhe se agjërimi i saj është i pavlefshëm, mirëpo ajo obligohet t’i kompensojë ditët e paagjëruara pas Ramazanit.

Në lidhje me këtë, Aishja r.a. ka thënë: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ, kur kishim gjakrrjedhje (menstruacione ose lehoni), urdhëroheshim t’i kompensonim ditët e agjërimit, kurse nuk urdhëroheshim t’i kompensonim namazet (e pafalura).”[1]

Kjo do të thotë se Pejgamberi ﷺ i ndalonte ato që të agjërojnë dhe të falen gjatë menstruacioneve apo lehonisë, e më pas i urdhëronte të kompensojnë vetëm agjërimin, ndërsa namazin jo.

Po ashtu dijetarët pajtohen se afati për kompensimin e ditëve të paagjëruara të Ramazanit me arsye është deri në Ramazanin e ardhshëm. Aishja r.a. ka thënë: “Kisha ditët që kam pasur obligim prej Ramazanit, por nuk arrija t’i kompensoja përveçse në muajin Shaban, për shkak të pozitës së të Dërguarit të Zotit.” [2]

Pra, nuk është obligim kompensimi menjëherë pas Ramazanit, ka afat. Mirëpo nëse nuk mund ta bëjë kaza deri në Razamanin e ardhshëm, gjithsesi duhet ta bëjë kaza qoftë edhe pas Ramazanit të dytë, apo edhe më vonë; ani pse duhet të përpiqet që të mos e zërë Ramazani tjetër, vetëm nëse ka arsye.

Gjithashtu ajo dhe të tjerët që kanë obligim ta bëjnë kaza Ramazanin mund të agjërojnë radhazi pa ndërprerje, ditë për ditë, që është më mirë e më sevap, por munden edhe me ndërprerje, ashtu siç u leverdis apo siç u përshtatet.

Vlen të theksohet se kush ka arsye të pranueshme për mosagjërimin e ditëve të muajit të Ramazanit nuk i lejohet ta shfaqë publikisht mosagjërimin e tij për shkak të shenjtërisë së muajit Ramazan dhe ikjes nga keqkuptimi dhe etiketimi që mund t’i vijë nga ana e agjëruesve, të cilët nuk i dinë arsyet e mosagjërimit, si dhe që të mos jetë nxitje e kurajë për mëkatarët për të mos agjëruar edhe ata.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Buhariu, nr. 321;  Muslimi, nr. (335) 67.
[2] Buhariu, nr. 1950; Muslimi, nr. (1146) 151.