Senior man sick with corona virus

Pyetja:

Jam e sëmurë nga veshkat dhe mjekët ma kanë ndaluar agjërimin. A më lejohet që me këtë sëmundje që kam të mos agjëroj?

***

Përgjigja:

Agjërimi i Ramazanit është obligim për çdo musliman, moshërritur, që nuk ka ndonjë pengesë që e justifikon për të mos agjëruar. E ndër ato pengesa është edhe sëmundja. Prandaj çdo musliman që vuan nga ndonjë sëmundje e rëndë lirohet nga obligimi i agjërimit. Sëmundja, e cila e lejon mosagjërimin mund të përkufizohet në këto raste:

1.Nëse shtohet sëmundja për shkak të agjërimit;

2.Nëse vonohet shërimi për shkak të agjërimit;

3.Nëse agjërimi i shkakton vuajtje, dhembje të papërballueshme.

Allahu i Lartësuar thotë:

E kush e përjeton prej jush këtë muaj (ramazan), le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju.” (Bekare: 185)

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahut i pëlqen t’i pranoni lehtësirat, ashtu sikurse e urren kryerjen e ndalesave.” [1]

Prandaj nëse vërtetohet me dëshmi të mjekut të specializuar musliman, që është i besueshëm, se agjërimi e dëmton shëndetin tënd, atëherë nuk të lejohet agjërimi, por duhet patjetër të përdorësh ushqim dhe ilaçe të nevojshme, ngase Allahu xh.sh. thotë:

“…e mos e hidhni veten në rrezik dhe bëni mirë, se me të vërtetë Allahu i do bamirësit.” (Bekare: 195)

Ndërsa Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk lejohet dëmtimi i vetes e as dëmtimi i tjetrit.” [2]

Sa i përket kompensimit të ditëve të paagjëruara, nëse sëmundja konsiderohet e përkohshme dhe shpresoni se do të shëroheni pas një kohe, atëherë në momentin që shëroheni i kompensoni ditët e paagjëruara, ditë për ditë.

Mirëpo nëse sëmundja është e pashërueshme, atëherë nëse keni mundësi, do të ishte mirë që për çdo ditë të paagjëruar të ushqeni nga një të varfër.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

——————————-

[1] Ahmedi, nr. 5839. Albani e ka konsideruar hadithin sahih. Shiko Irvau el-Galil, nr. 564.

[2] Ibën Maxhe, nr. 2340. Albani e ka konsideruar hadithin sahih.