Pyetja:

Masturboj edhe pse e shoh se nuk më bën mirë. Kur dal për nevojë të madhe, më del sperma pa patur kontakt me epshin, dhe gjithashtu më del sperma pa pasur kontakt me epsh pas 4 ose 5 ditëve. Nëse më rekomandoni diçka do e pranoja me mirënjohje.

***

Përgjigjja:

Vëlla musliman! Ky zakon nëse veprohet shpesh, shkakton dëme trupore dhe psikologjike. Ndoshta pas martese shkakton moskënaqësi të plotë me bashkëshorten si dhe dobësi në ngritjen e organit, ndoshta edhe pas njëfarë kohe martese mund t’i largohet.

Prandaj, mënyra më e mirë për ruajtjen e trupave dhe logjikës sonë nga sëmundjet, është ndalimi nga kërkimi i kënaqësisë seksuale para martese e çfardolloj forme qoftë.

Pastaj, të kemi parasysh se kur njeriu i dorëzohet epshit të tij, kjo shkakton humbjen e vullnetit dhe personalitetit tënd që bazohet në forcë dhe vullnet.

Nga gjërat që forcojnë personalitetin është frenimi i dëshirave epshore. Ndoshta në fillim të duket e vështirë, mirëpo duke e mësuar veten me frenim, kjo bëhet e lehtë.

Pra, në një situatë të tillë ju duhet të keni kurajon, fuqinë morale dhe shpirtërore për ta mposhtur këtë dëshirë të keqe.

Të ketë parasysh, ai i cili është sprovuar me këtë të keqe, që të largohet nga gjithçka që i nxit ndjenjat seksuale, qofshin biseda apo pamje që nxisin ndjenja të tilla.

Përsa i përket çështjes së daljes së spermës pas kryerjes së nevojës pas 4 ose 5 ditësh, kjo nuk ka asnjë problem dhe as nuk obligohesh me diçka nga kjo dalje sperme pa vullnet.

Allahu e di më së miri.

Azem Bardhoshi