Pyetja:

Selam alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!
Gjatë leximit të librit shumë të bukur për nga përmbajtja nga Ibën Kajjim el-Xheuzije; “Premtimi për durimtarët dhe nozulli i falënderuesve” kam lexuar diçka. Nëse keni mundësi të më sqaroni diçka në lidhje me saktësinë dhe domethënien e kësaj:

Nga libri i lartshënuar faqe 381:
Abdullah ibën Mes’udi thotë:” Për Zotin tuaj nuk vlen, as dita e as nata. Drita e qiejve dhe e tokës rrjedh nga drita e fytyrës së Tij. Një ditë e juaj tek Ai zgjat 12 orë. Punët tuaja të djeshme i ekspozohen Atij në fillim të ditës së sotme. Ai i shqyrton tri orë dhe gjen atë që e urren dhe kjo e zemëron. Të parët për zemërimin e Tij e dinë bartësit e Arshit, i cili u bëhet atëherë edhe më i rëndë. Bartësit e Arshit fillojnë të madhërojnë Allahun, tendat e mëdha të Arshit, melekët e afërt dhe melekët e tjerë, derisa Israili nuk fryn në Sur, kështu që çdo krijesë e dëgjon atë. Do ta madhërojnë Allahun tri orë, derisa Ai të mbushet me mëshirë. Kjo do të zgjasë bashkërisht gjashtë orë. Pastaj do të sillen mitrat dhe ai do të shikojë tri orë në to. Këtu është kuptimi i ajetit:
“Ai është që ju krijon (formon) juve në mitra ashtu si të dojë.” (Ali Imran, ajeti 6)
“Ai i fal vetëm femra atij që do; e i fal vetëm meshkuj atij që do. Ose u fal çift, meshkuj e femra, por atë që do e lë pa fëmijë ( steril); Ai është i dijshëm…” (Esh Shura, 49-50)
E gjithë kjo arrin nëntë orë. Pastaj do të sillen furnizimet dhe në to do të shikojë tri orë. Kjo gjendet në ajetet:
“Allahu i ofron furnizim me bollëk atij që do dhe ia kufizon ( atij që do).” (Er-Ra’d , ajeti 26)
“Ai në çdo moment është i angazhuar në çështje të reja.” (Er-Rahman, ajeti 29)
Kështu Zoti juaj vepron me juve. Këtë thënie Taberaniu e përmend në “Sunen” si dhe Osman ibën Seid ed – Darimiu, Shejhul- Islam el-Ensari; Ibën Menda, Ibën Huzejme e të tjerë.
Këtu edhe një pyetje tjetër. A fillon dita e sotme pas namazit të ikindisë, siç kam lexuar nëpër disa vende?
Allahu azze ue xhel ju shtoftë diturinë!

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

1. Fillimisht kërkojmë falje për vonimin e përgjigjes, pastaj themi se citatin për të cilin ju bëni pyetje e kemi hulumtuar në koleksionet e haditheve dhe e kemi gjetur se nuk është i qëndrueshëm. Hejthemiu në librin “Mexhmez Zevaid”, vwll. 1, f. 90 thekson se hadithi është i paqëndrueshëm.

Prandaj nuk do të ndalemi në komentimin e tij edhe pse vlen të theksohet se pjesa e parë e hadithit: “Për Zotin tuaj nuk vlen, as dita e as nata.” , është e vërtetuar në disa transmetime të tjera. Kështu që themi se është i saktë ndryshimi i natës dhe ditës, gjegjësisht koha, është e krijuar dhe ka të bëjë me krijesat e jo me Krijuesin, pasi Allahu i Lartësuar është jashtëkohor.

2. Sipas kalendarit islam hixhri, dita fillon me perëndimin e diellit ose me hyrjen e kohës së akshamit. Kështu që kur të thirret ezani i namazit të akshamit, fillon nata e ditës së nesërme. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi