Pyetja:

A është namazi i plotë nëse nuk i bën tesbihet?

***

Përgjigjja:

Që namazi të jetë i vlefshëm duhet të plotësohen kushtet para se të hyjmë në namaz dhe shtyllat përbërëse të namazit. Kushtet para se të hyjmë në namaz janë:

  1. Pastërtia e trupit, e vendit dhe e rrobave;

2. Marrja e abdestit, guslit apo tejemumit varësisht prej situatës;

3. Mbulimi i vendeve të turpshme të trupit;

4. Hyrja e kohës së namazit;

5. Drejtimi nga kibla dhe

6. Nijeti.

Kurse shtyllat përbërëse të namazit janë:

  1. Tekbiri fillestar;

2. Qëndrimi në këmbë;

3. Leximi i Kur’anit;

4. Përkulja-ruku,

5. Sexhdeja dhe

6. Ulja e fundit.

Namazi po ashtu përbëhet prej vaxhibeve dhe suneteve.

Bërja e tesbiheve konsiderohet prej suneteve që bëhen pas kryerjes së namazit farz, prandaj ato nuk kanë asnjë lidhje me vlefshmërinë e namazit. Është vërtetuar nga Pejgamberi ﷺ se pas përfundimit të namazit thoshte tri herë “ESTAGFIRULL-LLAH”, pastaj thoshte “ALL-LLAHUM-ME ENTES-SELAM VE MINKES-SELAM TEBAREKTE JA DHEL-XHELALI VEL-IKRAM.” [1]

Po ashtu është sunet që pas namazeve obligative të këndohet Ajeti Kursij, surja Ihlas dhe dy suret Felek dhe Nas.

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush e lexon Ajeti Kursinë pas çdo namazi obligativ (farz), nuk e pengon nga hyrja në xhenet asgjë tjetër përveç vdekjes.” [2]

Ukbete bin Amir ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ më ka urdhëruar që pas çdo namazi t’i lexoj (tre) muavidhatet, d.m.th. suret: El-Ihlas, El-Felek dhe En-Nas.” [3]

Gjithashtu është sunet që pas namazeve obligative (farz) të thuhen tesbihet. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush thotë pas çdo namazi 33 herë SUBHANALL-LLAH, 33 herë EL-HAMDULIL-LAH, 33 herë ALLAHU EKBER dhe në plotësim të njëqindtës thotë: LA ILAHE IL-LALL-LLAHU VAHDEHU LA SHERIKE LEH, LEHUL MULKU VE LEHUL HAMDU VE HUVE ALA KUL-LI SHEJ’IN KADIR, i falen mëkatet e tij edhe po që se janë si shkuma e detit.” [4]

Për të pasur një pasqyrë me të qartë rreth kësaj çështjeje po marrim një shembull konkret.

Namazi i drekës përbëhet prej 10 rekatesh: katër sunet, katër farz dhe dy sunet në fund. Është sunet që pas namazit të drekës të thuhen lutjet e lartpërmendura. Mirëpo namazi i drekës është i vlefshëm dhe i plotë nëse falim edhe vetëm farzin, ngase me faljen e farzit të drekës e kemi kryer obligimin dhe përgjegjësinë e namazit të cilin Allahu xh.sh., na ka urdhëruar për ta falur, ndërsa për sunetin para dhe pas farzit si dhe lutjet e lartpërmendura nëse i bëjmë, shpërblehemi, por nëse nuk i bëjmë, nuk ndëshkohemi. Prandaj përgjigjja është se namazi është i plotë edhe nëse nuk i bëjmë tesbihet pas faljes së namazit.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

———————–

[1] Muslimi, nr. (591) 135.

[2] Bejhekiu në Shuab el-Iman, 2/458, nr. 2395. Hejthemiu në Mexhmeu ez-Zevaid, 10/128 dhe ka thënë: “E ka transmetuar Taberaniu në El-Kebir dhe në El-Evsat me senede të ndryshme, njëri nga ata është i mirë. Ibn Abdulhadi në El-Muharrer, 1/209, dhe ka thënë: “Hadithi është sahih”.” Ibn Kajjimi në Zad el-Mead, 1/303, dhe ka thënë: “Hadithi është sahih”.

[3] Ebu Davudi, nr. 1523; Nesaiu, nr. 1336. Albani e ka bërë sahih.

[4] Muslimi, nr. (597) 146.