Pyetja:

Selam alejkum! Një ditë më treguan se në Rusi kishin dalë dy sy në qiell. Hyra në youtube dhe shkrova qielli me sy dhe e shikova. Ishte një gjë nga e cila po të hynte frika dhe a ka mundësi të më tregoni se a është e vërtetë kjo mrekulli natyrore.
Në përgjithësi në internet po qarkullojnë disa video me disa pamje vështirë për t’u besuar si të vërteta. Cili është shpjegimi fetar për këtë, gjithsesi nëse nuk është thjesht një krijim fotoshopi?
Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Videoja për të cilin ju bëni pyetje është një incizim i përhapur nëpër internet. Ne nuk kemi mundësi të japim ndonjë vlerësim se a është e vërtetë apo jo, por themi se komenti ynë mund të përmblidhet në atë se nëse është e vërtetë, atëherë ne e dimë se Allahu i Lartësuar është i Plotfuqishëm për çdo gjë. Nëse është montazh, atëherë kjo është vetëm një nga lojërat me të cilat mashtrohen njerëzit.

Sido që të jetë, ngjarjet e tilla nuk duhet të trajtohen si bazike në nxjerrjen e ndonjë dispozite apo pohimin, respektivisht mohimin e ndonjë gjëje. Na mjafton Libri i Allahut (Kurani) dhe fjalët e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, si paralajmëruese dhe përkujtuese. Në këto dy burime kemi mjaft përkujtime dhe tërheqje vërejtjeje, ndërsa gjërat e tjera, të cilat nuk janë të sakta dhe në të cilat kemi dyshime, nuk duhet të merren për bazë për të vërtetuar p.sh hidhërimin e Allahut, ashtu si do ta komentonte dikush këtë ndodhi. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi