Pyetja:
Nëna ima ka filluar rishtazi të falë namazet, por e ka një shprehi të keqe. Sa herë i kruhet nënës sime vetulla thotë: “nesër pritet të kemi mysafirë në shtëpi.” A është kjo prej shirkut të madh, të vogël apo ndonjë lloj besëtytnie dhe si t’ia sqaroj sa më qartë kur ajo e ka të ngushtë horizontin e kuptimit të fesë dhe nuk dua fort ta testojë besimin e saj?
***
Përgjigja:
Këto gjëra të cilat i përmendni nga nëna juaj janë shprehi të cilat i kanë mbetur nga e kaluara si rezultat i paragjykimeve që kanë njerëzit në lidhje me disa gjëra. Sido që të jetë, këto gjëra nuk llogariten shirk, por janë besëtytni, pasi ajo këtë ngjarje (kruajtja e vetullës) e ndërlidh me ardhjen e mysafirëve, por nuk është e saktë kjo ndërlidhje.
Ndërsa, mënyra se si duhet t`ia sqaroni këtë duhet të jetë në formë të thjeshtë duke i treguar se ndodhja e gjërave dhe caktimi i tyre bëhet vetëm nga Allahu dhe në këtë nuk ka ndikim kruajtja e vetullës apo diçka tjetër. Gjithashtu, mund të tregosh edhe disa shembuj konkret që mund ta qartësojnë se kjo është e gabuar. Prej këtyre shembujve mund ta përmendni edhe rastin kur të Dërguarit të Allahut, ﷺ, i vdiq djali dhe atë ditë ka ndodhur zënia e Diellit. Njerëzit menduan se zënia e diellit ka ngjarë si shkak i vdekjes së djalit të Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të dhe pasi ishte ditë pikëllimi për të, atëherë njerëzit thanë se si shenjë pikëllimi ndodhi edhe zënia e diellit. Kur e mori vesh i Dërguari i Allahut, ﷺ, se çfarë mendojnë njerëzit, u ngjit në hytbe dhe mbajti një fjalim ku ndër të tjera tha: “Vërtet Dielli dhe Hëna janë argumente të Allahut, që nuk zihen me vdekjen apo me lindjen e dikujt, por nëse ndodh kjo atëherë shpejtoni në përkujtimin e Allahut (pra faleni namazin e zënies së diellit).” [1]
Alaudin Abazi
—————-
[1] Buhariu (1060), Muslimi (901)