Pyetja:

Çfarë ngjyre duhet të ketë mbulesa e gruas muslimane dhe a t’i fali vaktet e namazit në punë?

***

Përgjigjja:

 

  1. Në lidhje me ngjyrën e shamisë ose të mbulesës themi se nuk ekziston ndonjë ngjyrë e veçantë së cilës patjetër duhet t’i përmbahet femra muslimane gjatë mbulesës. Në tërë këtë ajo duhet të ketë kujdes vetëm në ngjyrat dhe veshjet të cilat tërheqin shikimin e kalimtarëve sikurse ngjyrat e ndezura ose shumë të hapura, ose veshjet shumëngjyrëshe në të cilat ka vizatime (lule apo diçka tjetër).

Kriteret që duhet të kihen parasysh gjatë mbulesës përfshihen në këto pika:

–         Ta mbulojë tërë trupin, me përjashtim të fytyrës dhe duarve.

–         Mbulesa ose rrobat mos të jenë të tejdukshme sepse qëllimi i hixhabit është mbulesa e trupit, ndërsa ai hixhab i cili është i tejdukshëm nuk e realizon këtë qëllim.

–         Mbulesa të mos jetë e ngushtë që të përshkruajë trupin e femrës.

–         Të mos jetë mbulesa zbukurim në veten e saj. Me një fjalë të mos jetë e zbukuruar në mënyrë që të tërheqë vëmendjen dhe të tërheqë shikimin.

2. Në lidhje me pyetjen e punës në zyrë së bashku me burrat e huaj themi se përzierja me meshkuj të huaj nga vështrimi islam është i ndaluar, prandaj para se t’u përgjigjem për pyetjen tuaj e ndjeva nevojën e cekjes së kësaj. Femra muslimane duhet t’i ikë kontaktit me meshkuj të huaj me të cilët nuk ka afërsi (nuk i ka mahrem) dhe ajo këtë nuk duhet ta bëjë, vetëm se në rastet e domosdoshme.

Ndërsa falja e namazeve gjatë orarit të punës bëhet varësisht sipas mundësive, nëse keni mundësi të faleni në vendin e punës, atëherë veproni ashtu. Nëse nuk ka vend të përshtatshëm, atëherë mund të shkoni edhe në xhami. Ju këshillojmë që në asnjë rast mos ta lini namazin pa falur derisa t’i kalojë koha.

Gjithashtu nuk mendoj se humbni shumë kohë derisa ta falni namazin, që ju të keni mëkat për shkak të shkëputjes nga orari i punës. Sido që të jetë, nëse ndodh kështu, atëherë mundohuni ta kompensoni këtë humbje të kohës, duke i kushtuar kujdes punës gjatë orarit ose edhe kur të ktheheni në shtëpi. Kjo që e përmendëm vlen edhe nëse ju gjatë kohës së lirë brenda orarit të punës shfletoni ndonjë faqe të internetit ose lexoni Kuran. Zoti e di më së miri!

Hoxhë Alaudin Abazi