Pyetja:

Përse magjistari kur i bën magji dikujt, merr diçka nga rrobat e tij? A mundet magjistari ta bëjë magjinë edhe pa marrë diçka nga njeriu?

***

Përgjigjja:

Së pari duhet theksuar fakti se magjia- dhe çdo e keqe tjetër- nuk dëmton në vetevete, por ndikon në trupin, zemrën apo mendjen e njeriut vetëm me caktimin dhe lejen e Allahut të Lartësuar, kur urtësia e Tij lejon që diçka e tillë të ndodhë…
Medh’hebi (mendimi) i mbarë dijetarëve të Ehlu Sunetit dhe Xhematit (Pasuesit e Sunetit/Traditës Profetike dhe Unitetit të Muslimanëve) lidhur me magjinë është, se magjia është reale por krahas kësaj shumica e dijetarëve muslimanë janë të mendimit se magjia nuk i ndryshon realitetet por çfarë ndryshon magjia është vetëm temperamenti/vetitë psikike shpirtërore të të magjepsurit, prandaj magjepsja konsiderohet një prej llojeve të sëmundjeve.
Disa prej studiuesve të kësaj lëmie kanë përmendur se, “procesi i magjibërjes formohet nga treshja: magjistar, magji dhe shejtani shërbëtor i magjisë… pasi magjistari ia shet shpirtin dhe fenë shejtanëve të fuqishëm, ata i nënshtrojnë atij një numër xhindësh,shejtanësh që vihen në shërbim të magjisë… në vijim shejtani,shejtanët shërbëtor të magjisë ngarkohen që të bëjnë detyrën e tyre prej magjistarit, përmes veprimeve magjike/magjisë së këtij të fundit që mund të bëhet nëpërmjet: spërkatjes, shkeljes, ngrënies, pirjes ose groposjes… magjistari e fillon aktivitetin e tij të magjisë duke i kërkuar atij që vjen për t’i bërë magji dikujt, që t’i sjellë diçka nga gjurmët e këtij të fundit dhe pas kësaj magjistari fryn/ysht si në thënien e Allahut të Madhëruar: “dhe nga sherri i atyre që fryjnë në nyje (duke bërë magji)(El-Felek: 4); ku bëhet fjalë për një formë magjie të zezë, që praktikohej shumë në Arabinë paraislamike-, dhe po kështu magjistari i bën veprimet e tij magjike përmes punëve/veprimeve të tjera që i kryejnë xhindet/shejtanët shërbëtorë të magjisë, prej të cilave arrihet deri tek njohja dhe magjepsja e të shënjestruarit (personit të cilit synohet t’i bëhet magji)… gjithashtu ata kanë përmendur disa gjëra të tjera rreth realitetit të lidhejve mes magjistarit, shejtanëve dhe shërbëtorëve (xhinde/shejtanë) të magjisë…”

Por e vërteta qëndron se gjithë sa u përmend më sipër, nuk dihet të ketë origjinë të konsiderueshme në fenë islame (Kuran dhe Sunet) dhe për pasojë as mund të vërtetohet dhe as mund të mohohet sheriatikisht (sipas fesë islame)…
Në lidhje me këtë çështje feja islame ka përmendur vetëm përgjithësime nga të cilat nuk mund të nxirren hollësitë që u cekën në fillim apo ngjashëm me to; më konkretisht në këtë kontekst Allahu i Madhëruar thotë në Kuranin fisnik:
Dhe shkuan pas shpifjeve që bënin djajtë kundër mbretërisë së Sulejmanit. E Sulejmani nuk ishte mohues, por djajtë ishin mohues. Ata u mësonin njerëzve magjinë dhe dijeninë që u ishte dërguar dy engjëjve në Babiloni – Harutit e Marutit. Këta engjëj nuk i mësonin ndokujt magji, pa i thënë:Ne jemi dërguar për t’ju vënë në provë, andaj ti mos u bëj mohues (duke mësuar apo ushtruar magjinë)!” Dhe njerëzit mësuan nga këta të dy se si t’i ndajnë bashkëshortët. Por magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt pa lejen e Allahut. E megjithatë, njerëzit mësojnë ato gjëra që i dëmtojnë e nuk u bëjnë dobi. Në të vërtetë, ata e dinin se ai që e përvetësonte këtë mjeshtëri, nuk do të kishte kurrfarë të mire në jetën tjetër. Eh, sa e keqe është ajo për të cilën shitën shpirtrat e veta! Ah, sikur ta dinin ata!” (El-Bekare 102); ky ajet nënkupton se gjendet një lidhje mes atij që e kryen procesin e magjisë dhe shejtanëve, por bazuar në këtë ajet ne nuk mund ta dimë mënyrën reale sesi ndodh/ndikon ky proces, prandaj muslimani, në çështjet që i takojnë botës së fshehtë, lipset të qëndrojë brenda kufijve të tekstit hyjnor dhe të mos i kapërcejë treguesit e tyre, pasi kështu mund të bjerë në përgënjeshtrimin e të vërtetës ose besimin e të kotës.
– Gjithsesi, ka prej të kualifikuarve në këtë lëmi që japin disa detja (të cilat siç u cek më sipër nuk janë të mbështetura dhe as kundërshtuara sheriatikisht), në lidhje me shpjegimin e faktit se përse magjistari merr diçka nga njeriu të cilit dëshiron t’i bëj magji.
Pikërisht në lidhje me këtë profesor Es-Sadik ibn El-Haxh Et-Teumi thotë:
“Në realitet magjistari merr ose i sillet diçka prej gjërave të atij që synohet t’i bëhet magji, si copë prej rrobave të tij të veshura, flokë, mbetje prej thonjve të tij dhe qëllimi këtu është që të gjejë një shenjë të personit (disa përmendin se shkaku është se në këto gjurmë të personit gjendet ADN-ja e tij, nga ku mund të realizohet indentifikimi i personit dhe shënjestrimi i tij), përmes të cilës ta lidhë magjinë me personin të cilit synohet t’i bëhet magji…. më pas magjistari lidh nyje në të cilat gjendet shenja apo gjurma e marrë nga personi të cilit i bëhet magji, duke kënduar yshtjet dhe hieroglifet djallëzore (shkrimet, numrat dhe shenjat e tij misterioz të magjisë), në përpjekje për të marrë ndihmën e shpirtrave të fëlliqur djallëzor, që ta përmbush magjinë… kësaj i përgjigjen shejtanët e fuqishëm që magjistari i adhuron dhe u bindet… këta shejtanë të mëdhenj i nënshtrojnë magjistarit djaj të cilët i lidhin me trupin e personit që synohet t’i bëhet magji në një formë të tillë që personi të mos e ketë të mundur të shkëputet prej tyre… djalli që lidhet me atë që synohet t’i bëhet magji quhet shërbëtori i magjisë dhe i qepet hap pas hapi atij që synohet t’i bëhet magji, derisa të gjejë shansin e volitshëm për të hyrë në trupin e tij, për të mos u shqepur më prej tij, derisa të prishet magjia apo zgjidhen nyjet e magjisë…. pas kësaj nyjet e lidhura bashkë me hajmalitë dhe yshtjet djallëzore, vendosen në një vend i cili mund të jetë pranë ose larg të magjepsurit me qëllim që magjia e tij të mos ndërpritet dhe ky vend herë mund të jetë groposje nën tokë dhe herë të tjera vend i fshehtë që nuk dihet, dhe e gjitha kjo bëhet me qëllim që të mos arrihet tek magjia, pra prishja e saj… pasi shejtani të arrijë të vendoset në trupin e të magjepsurit, ai bën detyrën e tij në përputhje me qëllimin për të cilin është bërë magjia… shejtanët bëjnë gjëra që e bëjnë të magjepsurin të urryer… ose i sjellin depresion të rëndë, stres apo frikë… ose i çtendosin nervat dhe humbin durimin (në raportet me atë që synojnë ta ndajnë prej tij)… ose i shkaktojnë dhimbe të mprehta koke, shpine, kyçesh, ngushtim në kraharor, dhimbje në bark… ”

(burimi: http://www.alroqya.com/maqalat/mq-o-aqd.htm)…

Kompetentët në studimin e dukurisë së magjisë dhe magjistarëve, përmendin se veç formës së mësipërme, magjistarët kanë edhe një sërë formash të tjera përmes të cilave bëjnë magji, si për shembull përmes fotove, përmes kontaktimit zanor të magjistarit nga telefoni a ngjashëm, prekjes së trupit të personit nga ana e magjistarit, prekjes së hajmalive magjepsëse, përmes vendosjes së preparateve magjepsëse në ushqim apo pije, apo spërkatjes së rrugës ku do shkelë apo nuhasë personi që synohet t’i bëhet magji, përmes dhënies së emrit të atij që synohet t’i bëhet magji dhe emrit të nënës së tij (të dhënave personale), etj.; por këto forma dhe magjia me to kanë ndikim më të vogël sesa ato në rastin e gjurmëve (gjërave) që merren direkt nga trupi apo rrobat e personit që synohet t’i bëhet magji…

– Në mbyllje, muslimanit i del si detyrë të mos ketë kurrsesi frikë prej shejtanëve dhe magjistarëve, por të mbështetet tërësisht tek Allahu kundër tyre dhe çdo të keqeje, duke e ditur me siguri se agjë nuk mund të ndodhë pa lejen e Allahut… muslimani duhet të fortifikohet me Kuranin (leximin, studimin dhe praktimin me sinqeritet të tij), veprimin e udhëzimeve hyjnore (Kuranit dhe Traditës Profetike) përkatëse të ardhura në lidhje me mbrojtjen prej magjisë dhe dëmeve të tjera të krijesave dhe krahas kësaj- siç u cek edhe më herët- muslimani duhet të jetë tërësisht i sigurt se dobia dhe dëmi janë vetëm në dorën e Allahut, prandaj kushdo që me caktimin e Allahut është prekur nga magjia apo tjetër gjë, duhet të nxitojë të mbështetet tek Allahu Një i Vetëm i Pashoq, të ndjekë shkaqet sheriatike dhe të distancohet tërësisht nga shkuarja tek magjistarët, falltarët dhe sharlatanët, pasi këta të fundit vetëm sa do t’ia shtojnë marrosjen dhe xhindosjen…

Ju ftojmë ta shpërndani këtë postim, që të përhapet dobia e tij dhe së bashku të marrim shpërblimin e publikuesit të fjalës së mirë…