Pyetja:

A lejohet përsëritja e xhumasë në të njëjtën xhami, për shkak të ngushticës?

***

Përgjigjja:

Parashtrimi i çështjes:

Në vendet jomuslimane punëtorëve nuk u lejohet të lënë punën për të falur namazin, dhe dita e xhuma në këto vende është ditë punë. Në orën e pushimit muslimanët shkojnë nëpër xhami për tu falur në atë kohë, ka raste kur muslimanët që vijnë për të falur xhumanë gjejnë se ajo ka mbaruar, ose xhamia nuk mjafton për tu falur të gjithë, ose qëllon që xhamia është larg, për ata që e kanë detyrim faljen e saj, kështu që në këto raste disa janë të detyruar të falen të parët dhe të dalin për tu futur pjesa tjetër për tu falur, e kështu me radhë… A lejohet përsëritja e namazit të xhumasë në një xhami të vetme për shkak të hapësirës së ngushtë?

Dispozita e çështjes:

Norma bazë për çështjen e namazit të xhumasë është se, kur thirret ezani i saj të gjithë muslimanët duhet t’i përgjigjen kësaj thirrje, Allahu thotë për këtë në Kuran: “O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju! Dhe, kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e Allahut dhe përmendeni shumë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni.” [1]

Xhumaja është detyrë (vaxhib) të falet me xhemat, për çdo musliman të përgjegjshëm (mukelef), rezident (mukim). Në disa rrethana, muslimanët që jetojnë në disa vende joislame, e kanë tepër të vështirë ta kryejnë atë, të gjithë në një kohë të vetme, kështu që a lejohet që në një xhami të vetme xhumaja të falet më shumë se një herë?

Opinionet e dijetarëve bashkëkohore për këtë çështje:

Opinioni i parë: lejohet të falet namazi i xhumasë në një xhami të vetme, për shkak të hapësirës së ngushtë. Ky opinion është dhënë nga Asambleja e Juristëve Muslimanë në Amerikë.

Në faqen zyrtare të Asamblesë në fjalë, në internet,[2] përgjigja është dhënë rreth pyetjes për kriteret të cilat përligjin faljen e namazit të xhumasë në një xhami të vetme më shumë se një herë, si vijon: “Norma e kërkon që të falet vetëm një xhuma dhe ajo të kryhet në xhami qendrore (mesxhidul xhamia), por nëse hapësira nuk mjafton, atëherë lejohet të ketë më shumë se një xhuma, dhe për këtë nuk ka problem, në masën që ky veprim plotëson nevojën dhe përmbush interesin.”

Në një tjetër fetva të së njëjtës Asamblese[3], duke iu përgjigjur pyetjes për përsëritjen e namazit të xhumasë në një xhami të vetme, për shkak të hapësirës së ngushtë, ajo thotë: “Duke qenë se në vendet perëndimore, një përsëritje e tillë është e nevojshme në mjaft vende, dhe marrja në konsideratë e nevojave pohohet në përgjithësi nga dijetarët e shkollave të njohura juridike islame, atëherë mund të themi se kjo përsëritje është e domosdoshme, fakt ky që përfshihet nga bazat juridike të të gjitha këtyre shkollave.”

Në një tjetër fetva të kësaj Asambleje, për të njëjtën temë[4] thuhet: “Nëse (përsëritja e xhemateve) është zgjidhja për të përfshirë të gjithë namazlitë, atëherë nuk ka problem.”

Asambleja në fjalë, e lejon[5] përsëritjen e namazit të xhumasë në një xhami të vetme edhe në një fetva tjetër duke thënë: “Ashtu siç lejohet, për shkak të nevojës, namazi i xhumasë në xhami të ndryshme në të njëjtin qytet, ashtu edhe lejohet përsëritja e këtij namazi në një xhami të vetme, për të njëjtat shkaqe.”

Kriteret e vendosura për lejimin, sipas këtij opinioni:

  1. Të ketë vend të pamjaftueshëm për t’i mbajtur të gjithë namazlitë.
  2. Në këtë rast, xhematet e ndryshme nuk duhet të krijohen mbi baza sektare.
  3. Nuk duhet të jetë shkak rehatia.

Argumentet më të rëndësishme të këtij opinioni:

Namazi i xhumasë është obligim (fard), dhe nevoja që kanë muslimanët për ta falur atë me xhemat vlerësohet si e domosdoshme (darure).

Bazat e shkollave sheriatike i japin hapësirë opinionit për lejim, në raste kur ekziston domosdoshmëria.

Analogjia (kijas) me faljen e namazeve të xhumasë në xhami të ndryshme në të njëjtin vendbanim, të cilën e kanë lejuar një pjesë e dijetarëve.

Opinioni i dytë: nuk lejohet përsëritja e namazit të xhumasë

Të këtij mendimi janë: Komisioni i Përhershëm i Studimeve dhe Fetvave në Mbretërinë e Arabisë Saudite,[6] të cilën ata e kanë dhënë si përgjigje ndaj pyetjes për ndarjen e namazlive që punojnë në institucione që kanë aparatura delikate, në vendin e tyre të punës, ku ndër të tjera thuhet: “Nuk ka problem nëse ata ndahen në dy grupe për të falur namazin në vendin e tyre të punës, sepse natyra e punës së tyre e kërkon këtë gjë, por namazi i xhumasë për ju në vendin tuaj të punës nuk është i saktë, sepse për ju është detyrë ta falni atë në xhaminë qendrore pranë jush, por nisur nga rrethanat që kërkon puna juaj, një pjesë le të qëndrojë në detyrë, dhe pjesa tjetër të shkojë për të falur xhumanë në xhami, bashkë me njerëzit e tjerë, dhe më pas të kthehet në punë dhe të marrë në dorëzim detyrën nga pjesa që nuk u fal, në mënyrë që ata të falin drekën katër rekatë.”

Në këtë fetva, grupi që qëndron në punë dhe nuk arrin dot të fal xhumanë janë liruar nga detyrimi i xhumasë, por janë të obliguar të falin drekën me katër rekatë.

Shejhul Ez’herit XhadulHak Ali XhadulHak (rahmet pastë!) e ka ndaluar faljen e xhumasë në një xhami të vetme më shumë se një herë, edhe pse ai e lejonte faljen e saj në xhami të ndryshme.[7]

Shejhul Ez’her Mahmud Sheltut (rahmet pastë!), i cili ka thënë: “Ftesa për të falur xhumanë dy herë në të njëjtin vend, në të njëjtën kohë, në dy xhemate të ndryshme, ku mbahen dy hutbe, nuk njihet as sot dhe as në të shkuarën e Islamit, dhe as njihet për të ndonjë argument në bazën e sheriatit.”[8] Dhe diku tjetër thotë: “Por nëse mblidhen gratë së pari, dhe burrat së dyti, ose të mblidhen një pjesë e burrave së pari, dhe pjesa tjetër së dyti, këtë nuk e thotë shejh Ahmedi dhe as tjetër kush, përderisa ky namaz është namaz xhumaje.”[9]

Argumentet më rëndësishme të këtij opinioni:

Përsëritja e xhumasë në një xhami të vetme do sjellë përçarje dhe hallakatje, gjë që është e ndalura nga sheriati islam.

Referencat:

  • Faqja zyrtare e Asamblesë së Juristëve Muslimanë në Amerikë.
  • Fetvatë e Komisionit të Përhershëm për Studime dhe Fetva, në Mbretërinë e Arabisë Saudite, mbledhur dhe renditur nga Ahmed ibn Abdurrezak ed-Duejsh.
  • Fetva Islame, të hirësisë së tij Shejhul Ekber XhadulHak Ali XhadulHak, Bot. Darul Faruk, botimi i parë, 2005.

Burimi: ENCIKLOPEDIA E THJESHTUAR E FIKHUT PËR ÇËSHTJET BASHKËKOHORE (Çështjet që prekin pakicat muslimane) fq. 19-24.

—————————–

[1] Kurani 62: 9-10.

[2] Me datë 01/01/2000.

[3] Me datë 29/06/2008.

[4] Me datë 05/08/2009.

[5] Me datë 17/06/2010.

[6] El-fetua nr. 7/77, 21575.

[7] El-fetua el-Islamije 4/42.

[8] El-fetua el-Imam el-Ekber Mahmud Sheltut fq. 93.

[9] El-fetua el-Imam el-Ekber Mahmud Sheltut fq. 94-95.