Pyetja:

A lejohet të mbajmë piktura në shtëpi?

***

Përgjigjja:

Së pari duhet të kihet parasysh fakti se ka disa lloje pikturash, gjegjësisht, pikturat mund të jenë të qenieve të gjalla, qoftë të njerëzve apo të gjallesave tjera, si dhe piktura të gjërave që nuk kanë shpirt, fjala vjen piktura të fryteve, vazo, kulla, anije apo objekte tjera të kësaj natyre.

Për atë, kur është fjala për piktura të gjallesave me shpirt, feja islame e ka ndaluar që të pikturohen këto gjallesa. I Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ, ka thënë: ”Njerëzit që do të kenë dënim më të rëndë në Ditën e Gjykimit, janë piktorët.” [1]

Poashtu, ekzistimi i këtyre pikturave, pra pikturave të qenieve me shpirt, ndalon futjen e melekëve. I Dërguari i Allahut ﷺ, ka thënë: ”Melekët nuk hyjnë në një shtëpi ku ka pikturë.” [1]

Pikturat dhe skulpturat te popujt e mëparshëm, kanë qenë shkak që ata kanë devijuar në aspektin e adhurimit, gjegjësisht kanë bërë skulptura dhe piktura të njerëzve të djallëzuar, pastaj pas një kohe këto piktura dhe skulptura janë adhuruar. Putat të cilët i kanë adhuruar idhujtarët në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, kanë qenë skulptura, e ka patur edhe piktura, siç ka qenë rasti me muret e Qabes ku ka qenë i pikturuar gjoja Ibrahimi alejhi selam. duke iu lutur yjeve. Kjo ka qenë e pavërtetë, dhe i Dërguari i Allahut ﷺ, ka urdhëruar që këto piktura të fshihen nga muret e Qabes.

Edhe sot e kësaj dite, posterat dhe fotografitë e yjeve të ndryshme, te shumë njerëz kanë kuptim idhulli, apo varësie prej pamjes dhe fotografisë së idhullit.

Nisur nga kjo, besimtari nuk bën të mban piktura të kësaj natyre.

Ndërkaq, nëse është fjala për piktura të objekteve pa shpirt, siç janë drunjtë, vazot, lumenjtë, lulet, peizazhet e ndryshme, etj., këto lejohen të mbahen në shtëpi, nuk i përfshinë ndalesa dhe nuk e pengojnë hyrjen e melekëve.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu

——————————–

[1] Buhariu dhe Muslimi