Pyetja:

Çfarë dëshmon Ramazani?

***

Përgjigjja:

Unë nuk kam mundësi të jem i kujdesshëm me faljen e namazeve me xhemat, sidomos në namazin e sabahut; kur ja, me të ardhur Ramazani dhe ky iluzion menjëherë shuhet e largohet. Ti e gjen po të njëjtin person të rregullt në xhami dhe merr pjesë në namazet me xhemat, sikur të mos kishte patur kurrë ndonjë vështirësi apo mundim të mëparshëm.

Unë nuk mund ta lë duhanin apo të shkëputem prej tij qoftë edhe për një moment të vetëm, thotë tjetri; por me të ardhur Ramazani dhe po tek i njëjti person lind e buron një forcë, e cila zbulon energji të habitshme, me anë të cilave ai shkëputet nga duhani për më shumë se dhjetë orë në ditë dhe kjo për plot tridhjet ditë.

Një tjetër të thotë se është person i dobët, se nuk prodhon asgjë dhe nuk jep asnjë lloj rezultati. Me pak fjalë ai dëshiron të tregojë se nuk është produktiv dhe se në regjistrat e tij nuk shënohet kurrfarë heroizmi, porse me ardhjen e Ramazanit kjo ide shuhet dhe vendin e saj e zënë heroizmat të cilat ai mendonte se nuk gjenin rrugën të ishin pjesë e jetës së tij. Gjatë Ramazanit ky person agjëron tridhjetë ditë, fal njëqind e pesëdhjetë farze dhe afro treqind e pesëdhjetë rekate nafile. Veç kësaj është pikërisht po ky person i cili lexon 6236 ajete Kuranore. Këto janë arritje dhe suksese për të cilat kjo jetë do ta duartrokasë dhe gjithësia duket sikur e thërret duke e përgëzuar, sepse ai sapo ka depozituar fitime madhështore në llogarinë e tij të së nesërmes (Ditën e Gjykimit).

Rrugën për të arritur në epërsi duke dhënë mund e sakrificë nuk do ta gjesh kurrë të mbingarkuar me njerëz

Tjetri ankohet se rutina duket sikur e ka prangosur dhe e ka burgosur, se ndihet i pafuqishëm për ta ndryshuar këtë gjendje e cila vazhdimisht e mundon. Por me të ardhur Ramazani është po ai i cili e thyen rutinën me vendosmërinë, disiplinë dhe punë të përpiktë, aq sa habitesh e thua: vallë ky është miku im apo unë jam në ëndërr?!

Padyshim se muaji i bëgatë i Ramazanit, përveç shpërblimit që ne fitojmë në të, ai vazhdimisht na dhuron dhe na jep leksione, me të cilat sikur kërkon të skalisë personalitetin e çdonjërit prej nesh dhe të na bëjë me një karakter edhe më të fortë.

Pas kësaj miku im, kam përshtypjen se ti e ke kuptuar se je vërtet një person me vyrtyte të veçanta, se ke aftësi marramendëse dhe një forcë tejet të madhe. Atëhere, përse nuk e bën Ramazanin një pikënisje për arritje dhe suksese edhe më të mëdha në këtë botë dhe botën tjetërt?!

Atëhere le të marim një vendim të gjithë sëbashku se gjatë këtij Ramazani:

  • Do të agjërojmë me të vetmin qëllim për t’iu bindur Allahut dhe për ta kënaqur Atë, e që kështu të arrijmë shpërblimin e madh dhe gëzimin e papërshkrueshëm ditën kur ta takojmë Allahun.
  • Se do ta lexojmë Kuranin nga fillimi në fund, qoftë edhe njëherë të vetme.
  • Sido që të jenë situatat do të kujdesemi të falim namazin e teravive me xhemat. Nuk përbën problem nëse zgjedhim ta falim diku ku qetësohen zemrat me leximin e bukur e të këndshëm të Kuranit.
  • Se do të japim sadaka gjatë këtij muaji, e pse të mos jetë 10% e të ardhurave tona, sepse sadakaja shuan zemërimin e Allahut, ndërsa në Ramazan ajo ka një dimension të shumfishtë.
  • Të kujdesemi për vizitat e të afërmve gjatë këtij muaji dhe për përkujdesin ndaj tyre, sidomos kur bëhet fjala për prindërit, sepse kjo vepër është një urdhër hynor që vjen bashkangjitur me adhurimin e Allahut.

-Suksesi është tërësia e përpjekjeve të vogla të cilat përsëriten vazhdimisht

Së fundmi le të meditojmë sëbashku rreth këtij hadithi madhështor!

Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcjell se dy vëllezër të cilët pranuan Islamin në të njëjtën kohë, njëri prej tyre ra shehid (dëshmor) në luftë, ndërsa tjetri vdiq pas një viti. Shoku i Profetit ﷺ, Talha bin Ubejdi llah, tregon se kishte parë në ëndërr se ai që vdiq i dyti kishte hyrë në Xhenet përpara shehidit. Kjo e kishte habitur, prandaj ia tregoi Profetit ﷺ, i cili u tha njerëzve:

Profeti: Përse po habiteni?!

Njerëzit: O i dërguar i Allahut, i pari ishte person i cili u përpoq më shumë, sakrifikoi dhe vdiq shehid, dërkohë që në Xhenet hyri fillimisht ai që vdiq më pas!

Profeti: Por a nuk jetoi i dyti xedhe një vit tjetër pas të parit?

Njerëzit: Sigurisht, o i Dërguar i Allahut ﷺ.

Profeti: Po a nuk e arriti muajin e Ramazanit dhe e agjëroi? A nuk fali kaq e kaq namaze gjatë një viti?

Njerëzit: Po ashtu është o i dërguar i Allahut.

Profeti tha: Distanca mes tyre është më e madhe se distanca mes qiellit dhe tokës. [1]

Hoxhë Bledar Tefik Haxhiu

——————————–

[1] Ahmedi dhe Ibn Maxhe