Rivarrimi i të vdekurve

74. I nderuar hoxhë! A lejohet rivarrimi i të vdekurve?

Përgjigjja: Rivarrimi i të vdekurit nuk lejohet, përveç rasteve kur e kërkon nevoja, ngase të vdekurit i takon të mos i cenohet varri i tij përderisa ekziston ndonjë pjesë nga trupi i tij.

Nëse në varr nuk ka mbetur asgjë nga trupi i tij dhe është bërë hi e pluhur, pra i është shndërruar trupi në dhe, atëherë lejohet që të varroset ndonjë i vdekur tjetër. Përndryshe, përderisa në varr ekziston ndonjë asht i të vdekurit, nuk lejohet as të varroset dikush tjetër e as nuk lejohet rivarrimi i tij në ndonjë vend tjetër, përveç rasteve dhe situatave të domosdoshme.

Prej rasteve në të cilat lejohet rivarrimi i të vdekurit janë:

1.Nëse të vdekurin e kanë varrosur në tokën që është në pronësi të huaj, siç kemi shumë raste nga lufta  jonë e fundit çlirimtare, ku për shkak të rrethanave të luftës shumë viktima janë varrosur në prona të huaja private dhe pas çlirimit është dashur të lirohen këto prona. Apo nëse të vdekurin e kanë varrosur në pronën e uzurpuar dhe pas varrimit  organet kompetente  kanë konstatuar se prona është e uzurpuar, atëherë në këto dhe raste të këtilla të ngjashme të vdekurin duhet ta rivarrosim.

2.Nëse një besimtar është varrosur në varrezat e jobesimtarëve.

3.Nëse është e domosdoshme bërja e autopsisë në trupin e të vdekurit për të zbuluar ndonjë të vërtetë të rëndësisë së veçantë, atëherë duhet të bëhet rivarrimi i të vdekurit.

4.Nëse varrezat ndodhen në ndonjë vend strategjik ku interesi i përgjithshëm kërkon ndërtimin e ndonjë objekti të rëndësishëm, siç janë spitalet, shkollat, rrugët, etj., atëherë në raste të këtilla lejohet rivarrimi i të vdekurit.

Pra, me fjalë të tjera, rivarrimi i të vdekurit është i lejuar në raste të domosdoshme, por është i ndaluar në ato raste kur nuk ekzistojnë shkaqe të pranueshme.

Prandaj rivarrimi i të vdekurit thjesht nga dëshira që të jetë i varrosur në ndonjë vend të caktuar, ose siç kanë vepruar pas luftës, ku shumë viktima të luftës që janë varrosur në vende të ndryshme i kanë tubuar në një vend me qëllim që të ndërtojnë përmendore të veçanta për ta, nuk është e lejuar dhe është shqetësim për të vdekurit dhe shtim i pikëllimit për të gjallët. Andaj kudo që të vdesë besimtari, duhet të varroset në atë vend në varrezat e muslimanëve.

Duhet të punojmë sipas fesë së Allahut xh.sh. e jo sipas dëshirave dhe epsheve tona.

Allahu e di më së miri.

Dr.Shefqet Krasniqi