Rregullat e akikas

119. I nderuar hoxhë! Çfarë është akika? Si bëhet shpërndarja e mishit të kafshës së therur për akika?

Përgjigjja: Akika është therja e kafshës në shenjë falënderimi ndaj Allahut të Lartësuar me rastin e lindjes së fëmijës. Kryerja e akikas nga ana e prindërve është sunet i të Dërguarit të Zotit [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem]. Për lindjen e djalit është sunet të  theren dy dele, kurse për vajzën një dele. Aishja radijAllahu anha transmeton: “Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka urdhëruar që për djalin të theren dy dele të njëjta, kurse për vajzën një dele.”[1]

Nëse për djalin nuk ka mundësi të theren dy dele, atëherë akika për të vlen edhe vetëm me një dele.

Kafsha që theret për akika duhet të plotësojë kushtet e parapara si për therjen e kurbanit. Përveç kafshëve të vogla, për akika mund të theren edhe kafshët e mëdha, si lopë, deve etj., mirëpo nuk lejohet pjesëmarrja e më shumë se një personi në kafshën e akikas. Me fjalë të tjera, nëse njeriu dëshiron të bëjë akika për katër fëmijët e tij, për çdo fëmijë duhet të therë nga një kafshë të vogël apo të madhe. Nuk vlen therja e një lope për katër fëmijë, por për çdo fëmijë duhet kafshë e veçantë, për faktin se derdhja e gjakut po bëhet për lirimin e foshnjës nga të qenët e tij peng i akikas[2], e kjo duhet të jetë veç e veç për secilin, një kokë për një fëmijë.

Pastaj nuk është transmetuar nga sahabët e as nga tabiinët se kanë futur më shumë se një fëmijë në therjen e një kafshe të vogël apo të madhe. Këtu ndryshon kjo mesele nga kurbani, ku lejohet pjesëmarrja në kafshën e madhe deri në shtatë veta.

Akika është sunet të bëhet në ditën e shtatë, ose në ditën e katërmbëdhjetë, ose në ditën e njëzetenjëtë të lindjes së fëmijës, por nuk prish punë që të bëhet në cilëndo ditë tjetër. Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Çdo foshnjë është peng e akikas (kafshës së therur), theret për të (për foshnjën) në ditën e shtatë, i rruhen flokët dhe emërtohet.”[3]

Nuk ka ndonjë normë të përcaktuar për shpërndarjen e mishit të kafshës së therur për akika. Muslimani është i lirë ta shfrytëzojë mishin e tij në çdo formë që është hallall.

Preferohet që mishi i akikas të zihet dhe të ftohen të afërmit dhe miqtë në gostinë e përgatitur nga mishi i akikas. Po ashtu, mirë do të ishte që një pjesë prej mishit të akikas t’u shpërndahet të varfërve, të afërmve si dhe të përdoret edhe për nevoja të veta.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

KUR’ANI

————————————————————

[1] Tirmidhiu, nr. 1516, dhe ka thënë: “Hadith është hasen sahih”.

[2] Siç do të vijë në hadithin pak më poshtë.

[3] Ebu Davudi nr. 2838. Albani e konsideron hadithin sahih.